KMDLNj: Gjykata Speciale, imponim i bashkësisë ndërkombëtare

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut nëpërmjet një shkrimi ka shtruar pyetjen se kush duhet t’i bartë shpenzimet për të akuzuarit e Gjykatës Speciale dhe familjarët e tyre.

Lajme

21/01/2015 18:44

KMDNJ thotë se Gjykata Speciale do të dënojë “ekzluzivisht mbi baza etnike”, pra vetëm shqiptarët.

“Kosova si asnjë vend tjetër po përballet, 16 vjet pas përfundimit të luftës, me formimin e një gjykate e quajtur Gjykata Speciale që do të gjykojë krimet e pretenduara nga raporti i Dick Marty-t e për të cilët mund të akuzohen figura të larta të UÇK-së e që nënkupton se edhe të arrestuarit, të akuzuarit dhe të dënuarit eventualë do të jenë shqiptarë. Do të jetë (nëse nuk ndryshon mandatin në ndërkohë) gjykatë speciale që do të dënojë ekskluzivisht në baza etnike gjë që nuk ka ndodhur me asnjë gjykatë që është themeluar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore (Gjykata e Nyrebergut)”, thuhet në shkrimin e Këshillit.

KMDLNj e ka kundërshtuar themelimin e kësaj gjykate edhe për nga forma e sidomos përmbajtjen e saj, aq më parë që ende funksionon një gjykatë ndërkombëtare për krime lufte në hapësirat e ish-Jugosllavisë, Tribunali i Hagës.

Sipas KMDLNJ-së, edhe këto gjykatat e UNMIK-ut dhe EULEX-it mund të llogariten si gjykata ndërkombëtare sepse rastet e krimeve të luftës janë gjykuar nga ndërkombëtarët.

“As në Kroaci, Bosnjë, FYROM, Mal të Zi dhe në Serbi nuk ishte formuar gjykata sikur ajo që me imponim po formohet në Kosovë. Është e pandershme, e pamoralshme dhe jo profesionale të thuhet se kjo gjykatë do të jetë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës kur të gjithë: hetuesit, prokurorët dhe gjyqtarët do të jenë shtetas të huaj, gjykimet do të mbahen jashtë territorit të Kosovës sikur që edhe dënimet për ata që do të dënohen do të mbahen në shtetet e tjera. Në këtë kontekst, duke pasur punë me politikanë të shantazhuar, bashkësia ndërkombëtare po e imponon një gjykatë në baza etnike. Praktika e të drejtave të njeriut nuk njeh këto gjykata por kriminelët i trajton si kriminelë ndërsa viktimat si viktima”.

Sipas KMDLNj, drejtësia do të përmbushej dhe do të kishte kuptim vetëm nëse hetohen dhe dënohen të gjitha rastet me të cilat nuk është marrë Tribunali i Hagës apo gjykatat e dështuara dhe të korruptuara të UNMIK-ut dhe EULEX-it, pa bërë dallime etnike edhe për ata që kanë bërë krime e sidomos për viktimat.

“Është shumë i qartë fakti se kjo Gjykatë nuk do të hetojë vrasjet gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj të cilësuara si vrasje të motivuara politikisht (vrasja e kundërshtarëve politikë) dhe vrasjet etnike”.

Për faktin që kjo Gjykatë do t’i mbajë gjykimet në Hagë ose Bruksel, në të cilat do të gjykohen shtetas të Kosovës, KMDLNj mendon dhe kërkon që të gjithë të akuzuarve t’iu sigurohet një gjykim fer me mbrojtje përkatëse të atyre avokatëve për të cilët përcaktohen, si dhe që ky duhet të jetë detyrim i shtetit të Kosovës.

“Po të mbaheshin gjykimet në Kosovë, të akuzuarit do të mund të përfitonin mbrojtje pa pagesë përmes Shërbimit Juridik Falas. Gjithashtu edhe familjarëve që marrin pjesë në gjykim dhe të cilët pastaj do t’i vizitonin të dënuarit eventualë, shteti i Kosovës duhet t’u hjek të gjitha shpenzimet (vizat hyrëse, shpenzimet e udhëtimit dhe shpenzimet e qëndrimit) sepse këta nuk kanë përgjegjësi që duhet të lëvizin jashtë Kosovës. Çdo i akuzuar ka të drejtë të mbrohet dhe të ketë vizita dhe këto të drejta të personave të privuar nga liria dhe familjarëve të tyre bëjnë pjesë në të drejtat e njeriut e që janë të rregulluara me të gjitha dokumentet ndërkombëtare dhe kombëtare për të drejtat e njeriut (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut të OKB-së, Rregullat evropiane të burgjeve deri te Kushtetuta e Kosovës)”.

Sipas KMDLNj në këtë mënyrë do të mënjanohej mundësia për formimin e fondeve ilegale dhe gjysmë legale për mbrojtjen e personave të caktuar për të cilat askush nuk ka dhënë llogari, as për burimin e tyre e sidomos për mënyrën se si janë shpenzuar.

“Në këtë mënyrë do të pamundësohej plaçkitja legale që e bëjnë avokatët ndërkombëtarë duke marrë para sa qindfishi i tarifave të përcaktuara nga Oda e Avokatëve të Kosovës. Praktika e mbulimit të shpenzimeve për të akuzuarit para gjykatave të huaja dhe familjarët e tyre është fakt i njohur edhe për Kroacinë, Bosnjën, FYROM dhe Serbinë. As Kosova nuk mund të bëjë përjashtim sepse në të kundërtën do të bëheshin shkelje të drejtave të personave të privuar nga liria dhe familjarëve të tyre”.

KMDLNj denoncon si të pavërtetë pohimin se gjykata Speciale është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës dhe se kjo gjykatë po formohet me kërkesën e institucioneve kosovare. Është pikërisht e kundërta.

KMDLNj kërkon hetimin e të gjitha rasteve të krimeve para fillimit të luftës, gjatë luftës dhe pas përfundimit të luftës, ndëshkimin e të gjithë atyre që kryen krime, urdhëruan, planifikuan krime dhe nuk penguan kryerjen e krimeve, pavarësisht përkatësisë etnike, pozitës që e kanë, statusit shoqëror, politik apo ekonomik.

KMDLNj kërkon drejtësi për të gjitha viktimat pa bërë dallime në baza etnike, politike, fetare etj.

“Thjesht, KMDLNj kërkon që kriminelët të trajtohen si kriminelë (kur u dëshmohet fajësia) ndërsa viktimat të trajtohen si viktima! As më shumë e as më pak!”, thuhet në komunikatën e KMDLNj-së, transmeton KosovaPress.