Mbrojtja e Thaçit kërkon lirimin nga të gjitha akuzat: Provat e ZPS-së janë të dobëta, të bazuara në spekulime – në përgjime nuk u përmenden viktima
Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse në Hagë, ka kërkuar nga trupi gjykues që ish-presidenti i Kosovës të lirohet nga të gjitha akuzat në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë. Sipas mbrojtjes, informacionet që pretendohet se Thaçi i ka përmendur gjatë vizitave në paraburgim, edhe nëse një pjesë e tyre kanë qenë të…
Lajme
Mbrojtja e Hashim Thaçit, në fjalën përmbyllëse në Hagë, ka kërkuar nga trupi gjykues që ish-presidenti i Kosovës të lirohet nga të gjitha akuzat në rastin për pengim të administrimit të drejtësisë.
Sipas mbrojtjes, informacionet që pretendohet se Thaçi i ka përmendur gjatë vizitave në paraburgim, edhe nëse një pjesë e tyre kanë qenë të klasifikuara në çështjen 06, në pjesën më të madhe kanë qenë tashmë publike dhe kanë të bëjnë me ngjarje të njohura të luftës, raporton lajmi.net
Mbrojtja ka kundërshtuar gjithashtu pretendimin e Prokurorisë se veprimet e Thaçit kanë shkaktuar dëm konkret, duke argumentuar se nuk ka viktima në këtë çështje dhe se pretendimi kryesor i ZPS-së lidhet me përpjekjen për të ndikuar në dëshminë e Bislim Zyrapit.
“Edhe në qoftë se një pjesë e informacioneve që pretendohet se është përmendur nga z. Thaçi gjatë vizitave ishte e klasifikuar në çështjen 06, në praktikë pjesa më e madhe e saj ishte në fushë publike dhe ishte në dijeni të publikut si pjesë e ngjarjeve të luftës”, tha mbrojtja.
Duke iu referuar rastit të Zyrapit, mbrojtja tha se pretendimi i ZPS-së për ndikim në dëshminë e tij nuk qëndron.
“Prokuroria pretendon se ata kishin shkaktuar njëfarë dëmi duke programuar dëshminë e z. Zyrapi. Kjo është e gabuar, pasi dëshmia e tij u shty për arsye private që nuk lidhen me të”, deklaroi mbrojtja.
Avokatët e Thaçit kanë kundërshtuar edhe kërkesën e ZPS-së për dënim me gjashtë vjet burgim, duke thënë se bisedat e zhvilluara gjatë kohës së paraburgimit nuk kanë pasur ndikim real.
“Prokuroria ju kërkon që ta dërgoni z. Thaçi në burg për gjashtë vjet për biseda që janë bërë në paraburgim, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale”, tha mbrojtja.
Mbrojtja ka kërkuar që vendimi i trupit gjykues të mbështetet vetëm në prova dhe jo në spekulime.
“Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirim nga të gjitha akuzat”, u shprehën avokatët.
Në përmbyllje, mbrojtja ka ngritur shqetësime edhe për mënyrën e mbledhjes së provave nga ZPS-ja, duke përmendur incizimet e fshehta të bisedave të Thaçit, përfshirë edhe komunikimet telefonike dhe bisedat jo të privilegjuara me familjarët e tij.
Sipas mbrojtjes, provat e Prokurorisë janë të pamjaftueshme si në aspektin ligjor, ashtu edhe në atë faktik, dhe për këtë arsye Thaçi duhet të lirohet nga të gjitha akuzat.

Deklarat e plotë e mbrojtjes:
“Edhe në qoftë se një pjesë e informacioneve që pretendohet të jetë përmendur nga z. Thaçi gjatë vizitave ishte e klasifikuar në çështjen 6, në praktikë pjesa më e madhe e tij ishte në fushë publike, ishin në dijeni të ngjarjeve të luftës. Në praktikë, pra, nuk ka asnjë viktimë në këtë çështje. Pretendimi më i mirë që ZPS-ja ngriti ishte pretendimi se ata kishin shkaktuar njëfarë dëmi duke programuar dëshminë e një dëshmitari, z. Zyrapi. Kjo është e gabuar, pasi dëshmia e tij u shty për arsye private që nuk lidhen me të. Prokuroria u kërkon juve ta dërgoni z. Thaçi në burg për 6 vite për biseda që janë bërë në paraburgim, të cilat nuk kanë pasur asnjë ndikim në botën reale. Ne kërkojmë që vendimi juaj të bazohet në prova dhe jo në spekulime dhe që të jetë lirim nga të gjitha akuzat.
Z. Thaçi akuzohet për tentativë pengimi kundër personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare përmes të veprimit të përbashkët në një grup. Megjithatë, dua të theksoj përsëri se krimet e pretenduara pothuajse nuk ndiqen kurrë penalisht nga ligjet ndërkombëtare. ZPS-ja e bën këtë sepse duhet të mbulojë dhe justifikojë masat ndërhyrëse që janë marrë për z. Thaçin. Pra, incizimet e fshehta të të gjitha bisedave të tij dhe bisedave telefonike dhe atyre jo të privilegjuara, përfshirë edhe ato me bashkëshorten dhe djalin e tij.
Mbrojtja parashikon se provat e Prokurorisë janë të dobëta dhe se akuzat e tyre, qoftë nga ana ligjore dhe ajo faktike, dhe këto justifikojnë lirimin nga të gjitha akuzat për z. Thaçi.”/Lajmi.net/