Kjo s’është fjala e fundit për ju, Hilmi Nura, plaku i Shqipnisë!
Sonte kujtimet me flasin më shumë se kurrë më parë. Po flas me Ju Baca Hilmi me gjuhën e majit të vitit 1997, rrëfimi që ka mbet si testament në kujtesën dhe shpirtin tim...
Lajme
Pesha e luftës tani qëndronte në krahët e Ilmi Nurës, ai tani ishte njeriu me familjen e tij që po vendoste për rrjedhat e luftës në Dukagjin…
Dhembja për vrasjen e Luanit ishte e madhe por Hilmi Nura tani po peshonte veprimet për rrjedhat e luftës e cila po trokiste ku tjetër pos në truallin e Hilmi Haradinajt!
…………………….
Baca Hilmi i heshtur e fjalë matur, shkoi në përjetësi, por vepra, nderi e krenaria e tij janë ngritur si lapidar në shpirtin e çdo shqiptari!
S’ka lamtumirë për Ju, sepse prapë do t’ju takojmë te Kulla, çdo ditë e në çdo mëngjes bashkë më agun e rrezeve të Lirisë!
Si gjithmonë Aty te Kulla na pret Hilmi Nura i heshtur e me zemër të madhe!
———————————————–
Ëndërr e këputur dhunshëm
(Rrëfim në vetën e parë)
…
Ishte maji i vitit 1997. Në fshat kishte rrëshqitur lajmi për rënien e Luanit në kufirin me Shqipërinë. Këtë ma kishte kumtuar Mustafa, djali i axhës. Dhe në besë ma kishte thënë, sepse njerëzit pëshpëritnin se Ilmi Hradinaj dëshironte ta mbante fshehtë lajmin për vrasjen e djalit të vet. Dhe besën e mbaja, anipse lajmi ishte tronditës dhe dëshiroja të dija saktësisht të vërtetën. Rrethanat e rënies nuk diheshin, ndonëse flitej se trupi i tij ishte varrosur në afërsi të kufirit. Dihej vetëm se ishte vrarë nga ushtria jugosllave.
Enigma për vrasjen e Luanit nuk mund të mbahej dot e mbyllur. Dauti kishte kuptuar se diçka e jashtëzakonshme po ndodhte në familjen e tij, porse nuk e dinte të vërtetën e hidhur. Ai ende nuk kishte kuptuar se kurrë më nuk do të shihte të gjallë vëllain, Luanin. Dukej të shpresonte se do të shërohej, ngase vetëm për një plagë dukej ta kishin informuar. Porse arsyeja e kishte lëkundur besimin për një plagë të vëllait.
Një pasdite më kishte pritur te Blinat e Irzniqit. Kishte luajtur futboll pas orëve të mësimit dhe koha kur po takoheshim po shënonte rënien e ngadalshme të muzgut. Dielli nuk shihej më. Gjeravica ia kishte zënë frymën, duke e bërë qiellin të merrte pamje të argjendtë. Ishte tamam koha kur pas majës diellit të dërdëllitur të majit po i humbiste shndritja. Në maj dielli dukej krenar, ndërsa mbrëmjeve, si ajo e takimit me Dautin, rrezet e tija edhe pas majash rrezonin qiellin kristal.
-Rasim, tregomë drejt a është vrarë Luani?- më pyeti i shqetësuar, pa u përshëndetur fare, si e kishte zakon të bënte sa herë që takoheshim.
Nuk e kisha pritur një takim të tillë. Çështja po prekej nga palca, ndërkohë që unë nuk isha i parapërgatitur për një gjë të tillë. As që e kisha menduar se nga unë do të kërkonte të dinte të vërtetën e hidhur për Luanin e rënë në kufi, edhe pse e dija se ai më besonte shumë. Më shumë se çdo kujt tjetër.
Shihja se në shpirtin e tij ndihej nevoja për të vërtetën e vëllait. Insistonte të dinte nga unë, sepse besonte se nëse dikush e dinte të vërtetën isha unë. Dhe sa ngushtë u zura në ato çaste pak si të papritura. Dhe jobindës u tregova kur i thashë se nuk e dija.
Dauti po hetonte mëdyshjen time dhe po këmbëngulte t’i thosha atë që ndjente edhe vetë. Nuk besonte më se Luani kishte vëtm një plagë dhe se shpejtë do të shërohej, prandaj kërkonte të dinte të vërtetën.
Një ofshamë e thellë i rrodhi nga kraharori i gjerë. E dinte se edhe unë po fshihja të vërtetën, ndaj nuk hiqte dorë për të ditur atë.
-Tregomë bre burrë drejt nëse është vrarë e mos ma fsheh, – insistonte. Unë sërish i thashë se nuk e dija, duke hetuar edhe vetë se po flisja jobindshëm. Kisha dy arsye për të mos i komunikuar mortin: flitej se vrasja po mbahej sekrete dhe se në anën tjetër nuk mund t’i komunikoja një lajm që vetë nuk e kisha ende për të vërtetë, anipse shumë njerëz në fshat flisnin për rënien e Luanit. Nuk pata forcë po as edhe guxim të merrja hapin e kumtimit vetëm nga ato që kisha dëgjuar. Po në anën tjetër sikur edhe unë dyshoja të kishte rënë Luani. E pabesueshme më dukej të vritej njeriu i cili atdheut po i bënte roje.
Takimi te Blinat ishte i vështirë. Ndihesha shumë ngushtë atë mbrëmje maji, kur dielli po humbiste pas Gjeravicës e qiellin kristal po e shndërronte në argjend. Dautit nuk i konfirmova nëse dija për rënien e Luanit. E hetoja pasigurinë që mund të kapej edhe prej tij, por nuk doja që unë të jepja i pari kumtin e mortit të Luanit. Pas pak disi mora veten dhe bisedën e vazhduam edhe për gjëra të tjera, për t’u ndarë duke u përshëndetur.
Në orët e mbrëmjes u takuam sërish. Ballëpërballë dhe në kërkim edhe të mendimit tim se si të veprohej tutje. Dauti tashmë e dinte se Luani kishte rënë heroikisht. Nuk ishte ligështuar. Përkundrazi, forcë e trimëri kishin zbritur në shpirtin e tij të madh.
…
Ishte nata e vonë e ditës kur të Blinat Daut Haradinaj kishte kërkuar nga unë t’i thosha për fatin e vëllait të vet. Gjithë kohën nuk e ndjeja veten të qetë. Një telefonatë më vonë më kishte konfirmuar të vërtetën. Luan Haradinaj kishte rënën heroikisht për atdheun. Tash nuk kishte më hamendje. Kumti po merrte dhenë. Nuk mund të mbahej më i fshehtë lajmi për rënien e tij.
Në natën e vonë të asaj dite, në odën e burrave ku po rrinim, askush nuk fliste. Memecë ishim bërë të gjithë, ndonëse për të dëgjuar dëgjonim. Ndonjë e lehur qensh nga jashtë prishte qetësinë mbytëse, duke bërë të merrnin veten ndonjëri nga burrat që qetësia po mashtronte trurin e tyre. Çdo e lehur, ose edhe lëvizje e ndonjë veture rrugës afër shtëpisë ku rrinim, ua ngriste qepallat e rëna poshtë atyre që atë natë rrinin se bashku, por nuk flisnin. Nuk flisnin se fjalët ishin këputur. As një rrokje nuk mund ta shqiptonin, se fjalë assesi. Tashmë të gjithë e dinin se Haradinajt i kishin falur atdheut birin e tyre, Luanin. Dhembja kishte kapluar ata. Dhe prisnin sigurisht të nesërmen. Prisnin agun e parë për të takuar Ilmiun. Asnjë veprim pa fjalën e tij nuk e bënin. Dhembja ishte e madhe dhe fjalët ishin sosur.
Qetësinë nuk e prishën të lehurat, as ndonjë lëvizje në odë, as ndonjë gërrhamë, që ishte e natyrshme të gugullisej nga atmosfera mbytëse që kishte pushtuar natën e vonë të kumtit të zi.
Një trokitje në derë. Pa frymë dukej se mbetëm të gjithë.
-Rasim të thërret te dera Ilmi Nura,- drejtohet pa thënë mirëmbrëma njëri nga bashkëfshatarët. U ngrita në këmbë, ndërkohë që në mendjen time fytyra e Luanit më doli përpara. Sikur më bëhej se do ta takoja edhe atë. Pas meje erdhën edhe Aliu e Nazmiu, vëllezërit e mi dhe djali i axhës, Mustafa. Nuk flisnim derisa uleshim shkallëve poshtë. Hapat rëndë tingëllonin dërrasave që bëheshin se po mbanin mbi supet e tyre jo katër veta por një peshë të padurueshme për forcën e tyre sa të ishin katërqind. Kuisjet e tyre lëshonin gjëmën e kumtit që do të merrnim. Jo tridhjetë, por treqind shkallë më bëheshin sikur po kaloja bashkë me të afërmit e mi për t’u takuar me Ilmiun. Dhe sa më ngadalë dëshiroja të kaloja ato shkallë që atë natë më bëhej se po ndërronin funksionin e tyre të zakonshëm. Bashkë me shpirtin që po më këputej më bëhej sikur edhe atyre u këputej ndonjëherë gjëma që lëshonin nga pesha e hapave mbi to.
Ilmi Haradinaj po qëndronte poshtë shkallëve. Një cigare në errësirë ishte drita që e i zbardhte fytyrën e mvrejtur. Tymi që lëshonte nga goja nuk shihej, se tretej, por zjarri i cigares merrte forcë sa herë që e thithte. Me pak të ngrehura ajo po mbarohej, por ende pa u fikur me dorë Ilmiu nxirrte tjetrën për ta ndezur në zjarrin e zbehtë të së parës që po e bënte gati për ta gjuajtur. Ndizte njërën pas tjetrës, ndërkohë që nga fytyra dukej i lodhur, por kokën nuk e mbante poshtë. Kur merrte tymin nga cigaret që ndizte fuste thellë e më thellë brenda vetës për ta qitur tufa-tufa nga goja dhe hunda përnjëherësh. Dhe me tymin që rrethonte nga sytë reflektonte dhembje por edhe krenari.
-Të ngjitemi në odë,- i thashë, edhe pse e dija se nuk do të ngjitej lartë shkallëve. Disi duhej nisur biseda, ndaj edhe vëllezërit dhe Mustafa e ftojnë njëkohësisht.
-Jo. Këtë herë kam ardhur me punë,- tha ngadalë dhe për një çast thithi fuqishëm edhe një herë cigaren që mbante midis gishtërinjve. Tymi shoqëronte kumtin. Ngriti sytë duke na shikuar thellë të të gjithëve përnjëherë. Thithi edhe një tym, madje edhe një tjetër dhe tha:
– Luani është vrarë në kufi nga ushtria jugosllave, – dhe këtu pushoi pak sa për të marrë edhe tymin tjetër të cigares që gati po i digjte gishtërinjtë për të thënë kujdesshëm më pas se djali i tij, Luani, nuk e kishte koritur as atë dhe as vendin. Kishte rënë heroikisht.
Ne ishim të përgatitur për kumtin e asaj nate dhe ngushëlluam njeriun që atdheut i kishte dhënë dëshmorin e parë në Dukagjin në përpjekje për lirinë e vendit. Asnjë fjalë tjetër nuk na dilte nga goja. Përballë kishim burrin që krahas dhimbjes për djalin reflektonte edhe dhimbjen për të nesërmen. Duhej vendosur për shumë gjëra, prandaj ishte pëshpëritur se vrasja e Luanit po mbahej qëllimshëm pa marrë dhenë për arsye të shumta. Ato i kishte peshuar rëndë dhe kujdesshëm Ilmiu, prandaj po insistonte të bashkërenditnim qëndrimet.
-Çfarë duhet të bëjmë ne? – i kërkova mendimin pa e peshuar mirë, ngase hetoja se i duhej ndihma jonë, ndaj edhe kishte ardhur në orët e vona të asaj nate kur ne po prisnim pa folur mes vete në odë të burrave të merrnim lajmin nga dorë e parë.
– Rasim, nuk dua të flas më shumë. Unë kam ardhur të të pyes ty se si të veprojmë. Ilmiu po kërkonte mendimin tim nëse duhej mbajtur e pamja si e meritonte Luani, ose duhej heshtur rënien e djalit për hir të rrethanave. Nuk dëshironte të bënte kokë më vete veprime që mund të sillnin pasoja, jo vetëm për të. Të paktën kështu e kuptoja insistimin e tij për mendimin tim rreth organizimit të ceremonisë mortore ose të heshtjes së saj. Dhe e vështirë ishte të gjendeshe në pozitën kur një baba dëshmori kërkonte mendimin për veprime rreth ceremonisë së djalit të rënë. Aq më e vështirë ishte të thuash të mbahej ose të mos mbahej ajo, kur gjërat po ndërlikoheshin gjithnjë e më shumë. Tashmë ndodhesha në pozitën që duhej vendosur për veprimet e ditës që do të gdhinte me lajmin që veç kishte marrë dhenë. Dhe nuk kisha forcën për të thënë prerazi mendimin që kërkohej prej meje. Dhe hamendesha si të përgjigjesha.
– Unë mendoj se ju duhet vetë ta peshoni dhe vlerësoni situatën. Nëse ju e vlerësoni se mbajtja e pamjes së Luanit si dëshmor rrezikon punën e nisur lë të heshtet, nëse jo ta mbajmë ashtu si e meriton. Ju vendosni, ne jemi bashkë me ju,- i thashë , pa ditur të vlerësoja vetë dhe pa pasur edhe guximin që të vendosja për kërkesën që më shtrohej.
Ilmi Haradinaj atë natë e kishte shumë vështirë të vendoste. I kuptonte të gjitha rrethanat dhe shihej se tashmë e kishte kuptuar se ai personalisht po ngarkonte mbi vetë bashkë me dhimbjen edhe rrezikun, po dhe fatin e zhvillimeve të mëvonshme.
Pesha e luftës tani veç peshonte në familjen e tij. Heshtja kaploi për një çast takimin. Fjalët u mungonin të gjithëve. Duhej vendosur për zhvillime të paplanifikuara. Dhe askush nuk e kishte vendosmërinë për të vendosur.
-Thirre Dautin! – tha Ilmiu, duke drejtuar shikimin nga dyert e oborrit. Ne nuk e dinim se ai po priste jashtë. Dëshironte të merrte edhe mendimin e tij në prezencë të të gjithëve. Dauti hyri brenda dhe ne e ngushëlluam. Një shikim drejtuar nga unë sikur më bëhej se donte t’më qortonte se nuk i kisha kumtuar vdekjen e vëllait te Blinat në Irzniq, disa orë më parë.
– Plak, çka po thotë Rasimi ?- pyeti babain, ndërkohë që ende pa folur Ilmiu iu përgjigja gati njëjtë si babait të tij:
– Unë mendoj se ju vetë duhet ta peshoni dhe vlerësoni situatën. Nëse ju vlerësoni se mbajtja e pamjes për Luanin si dëshmor rrezikon punën e nisur është mirë ta heshtim, nëse jo atëherë lë të mbahet e pamja ashtu si e meriton. Sido që të vendosni ne jemi bashkë me ju”, – i thashë gati duke përsëritur besnikërisht ato që ia kisha thënë pak çaste më parë Ilmiut.
-Po ti çka po thua Daut- iu drejtua Ilmiu djalit që kishte ndenjur jashtë në veturë duke pritur babain për vendimin që do të merrej atë natë. Një kryqëzim shikimesh mes babait dhe djalit, që kërkonin edhe mendimin tonë, ngeh vrullin e Dautit.
-E pamja e Luanit do të mbahet. Ajo do të jetë pamje për rënien e ushtarit të UÇK-së,- tha mendimin prerazi me zë ushtaraku, për të shtuar se as që i bënte nëse nga ai çast do të shpërthente edhe lufta.
Sa i fortë dukej kur po vendoste për zhvillimet e paparashikueshme që mund të ndodhnin. Pushkën top po e bënte se sikur i bëhej se dheu nuk do të pranonte tinëzisht gjakun e vëllait të derdhur për të. Jo vetëm se e kishte vëlla, por mbi të gjitha respektonte gjakun e ushtarit të UÇK-së. Ishte bërë një me të.
– Po ti Rasim çka po thua ? – ma ktheu Ilmiu, që po shihte vendosmërinë e Dautit.
-Edhe unë si Dauti- iu përgjigja tashmë pa u hamendur.
Fjalët ishin të pakta. Të gjithë e dinim se po fillonim një fazë të re në rrugëtimin e ditëve që do të shënonin fillimin e mbarë të një faze të shumëpritur. E pamja për Luanin shënonte pikërisht këtë fillim. Dhe pas këtij dakordimi nuk mbetej tjetër veçse të planifikohej mënyra e organizmit, porse pos kësaj duhej vendosur edhe për lajmin që do të plasohej. Një bisedë e shkurtër rezultoi me vendimin që mediat të shkruanin për vrasjen e Luan Haradinajt, por pa dhënë detaje, pa shënuar se ishte ushtar i UÇK-së. E kjo bëhej për të ruajtur enigmën e ushtrisë që organizohej për të dalë një ditë publikisht dhe për të marrë fatin e popullit në duar të veta.
“Luan Haradinaj është vrarë nga ushtria jugosllave tek po hynte në Kosovë”, ishte formulimi që ua propozova me shpjegimin për të dalë në gazetë se ai ishte student i dhjetësheve në vitin e tretë të Fakultetit të Kulturës Fizike, në Tiranë, që u pranua nga të gjithë. Për flamurin, fotografinë, fletoren e nënshkrimeve dhe mënyrën e nderimit të dëshmorit Haradinaj u pajtuam, duke i autorizuar Mustafës për të realizuar ato.
Tërë natën nuk kisha fjetur. Takimi me prindin e Luanit, Ilmiun dhe më pas edhe me Dautin, vëllain e tij, natën vonë nën strehë të dyerve, ku pas kumtimit të lajmit dhe marrëveshjeve të bëra ishim ndarë heshtazi, më kishin hequr mendjeje dilemat për rrjedhat që mund të ndodhnin. Po përgatiteshim për një fazë të re veprimi. “Luani e meriton pamjen dhe nderimin ushtarak”, përsërisja me vete, por orëve të para të mëngjesit, kur prisja të dilja në Deçan për të plasur lajmin në media takimi me Dautin të njëjtën ditë dhe belbëzimi im për insistimin e tij të dinte nëse vërtet kishte vetëm një plagë apo kishte rënë vëllai i tij më trazonin. Unë e dija se ai më besonte, prandaj po më pyeste dhe takimi në mbrëmje, kur vetë ai mori vendimin për pamjen, edhe nëse pushka do të pëlciste që të nesërmen dhe shikimi në mua sikur më bënin të ndihesha i fajshëm, prandaj trazohesha natën, prandaj prisja mëngjesin për të kryer një detyrë të vogël që më takonte.
Agu i asaj dite ishte më i pazakonshëm se të tjerët. Rrezet e diellit sikur mbuluan qiellin më herët se zakonisht. Mbase kështu më bëhej. Po më bëhej se dielli që një natë më parë kishte përfunduar pas Gjeravicës duke ngjyrosur qiellin e kristaltë ngjyrë argjendi diktonte një të vërtetë që do të ndodhte. Prarimi i tij dhe fshehja e së vërtetës nga Dauti dhe lindja e tij e pazakontë të nesërmen kur bëhesha gati të nisesha të takoja gazetarin e “Bujkut”, Curr Mazrrekajn, më bënin njeri tjetër nga ai që isha, të paktën nga ai që e mendoja se isha. Gjërat po merrnin rrugën e vet, ndërsa unë po bëhesha pjesë e rrjedhës së tyre.
Mëngjesi i asaj dite në Deçan ishte si të tjerët. Njerëz të paktë kryenin ndonjë punë, të tjerë bënin ndonjë pazar për nevojat e shtëpisë, por asnjëri nuk kalonte nga vrojtimi i policisë. Ajo kishte vënë kontroll të plotë mbi qytezën e ngjarjeve të mëdha që do të ndodhnin më vonë. Madje policia kishte arritur të depërtonte edhe në jetën private të njerëzve, shpesh duke përulur edhe nderin e tyre. Po nënshtrohej një popull i tërë. Po humbiste identitetin nën valën e represionit të koordinuar serb.
Derisa mendoja kështu po ecja ngadalë rrugës për të takuar Mazrekajn. E shihja se përcillesha nga policia por asnjë shenjë dyshimi nuk jepja se po insistoja të takoja njeriun që do plasonte informatën e parë për rënien e ushtarit të UÇK-së, Luan Haradinaj.
-Duhet së bashku ta bëjmë një informatë,- i thashë Currit pas një përshëndetjeje siç bënim sa herë që takoheshim. Ne shpesh takoheshim dhe përshëndetjet tona ishin rutinë e zakontë, por takimi i asaj dite megjithatë ishte pak më ndryshe se herëve të tjera. Nuk kisha fjalë shakaje dhe këtë po e hetonte ai.
– Ku është puna Rasim? – më pyeti, ndërsa unë i tregova se duhej plasuar informatën për rënien e Luanit, ndërkohë që ai u interesua për burimin e saj.
-Unë jam burimi i informatës. Familja më ka autorizuar ta bëjë këtë lajm,- i thashë prerazi dhe Curri pa pyetur më tej pranoi të bënim atë që ishim marrë vesh një natë më parë me Ilmiun dhe Dautin.
Mesazhi që po merrte i dukej shumë i qartë, ndaj dhe nuk kërkoi më tepër të dhëna. Në mbrëmje TVSH-ja dhe media të tjera elektronike plasuan lajmin për rënien e Luanit në kufirin me Shqipërinë, ndërsa ditën tjetër gazetat plasuan po të njëtin lajm. Tashmë gjithkush e dinte se një vrasje nga ushtria jugosllave kishte shënuar përgjakjen e kufirit shqiptaro-shqiptar.
Në odën e Ismajl Haradinaj ishte hapur e pamja. Hardinajt po prisnin e përcillnin njerëz të gjakut e të fisit që me të marrë lajmin kishin mësyrë për ngushëllime. Nuk ishin shumë dhe dita e parë u ngjasonte pamjeve të zakonshme. Ditën e dytë gjithçka ishte e organizuar në nderim të dëshmorit, ndërsa unë për dy javë të tëra bëja punën e besuar. Nuk mbaja mësimin, sepse mbi vete kisha besimin për organizimin e nderimeve për dëshmorin. Dhe orët nuk i mbaja, sepse konsideroja se duhej të isha aty, jo se unë mund të bëja më shumë nga të tjerët, porse nderimin e dëshmorit Luan Haradinaj dëshiroja ta përcillja deri në fund. Edhe për Frashërin, vëllain e Luanit, kisha bërë zgjidhje. Asnjë mungesë nuk i shënohej në ditar. Prej rënies së vëllait ai mungonte në shkollë. “Po bën disa punë të vogla”, – më kishte thënë Ilmiu, – “Prandaj rregulloje që të mos shënohet se po mungon në mësime”. Dhe këtë e kisha bërë me kujdestarin e tij. Frashëri bënte punë “të vogla” asokohe.
Ndërhyrja e policisë serbe pritej në çdo moment. Lajmi për rënien e Luanit kishte kapluar dheun dhe mbajtja i pamjes ashtu siç mbahej ishte e pamundur të mos kishte rënë në vesh të policisë. Kohë të liga ishin, po edhe njerëz të ligë kishte.
Ushtarët e UÇK-së po i bënin nderim shokut të tyre të rënë. Në hyrje të oborrit të Ismajlit të pauniformuar ata rrinin gatitu para fotografisë së tij dhe flamurit në gjysmështizë. Pa uniformë ishin, por jo edhe pa armë. Të gatshëm ishin të përballeshin me policinë po të tentonin të ndërhynin në rrjedhën e ceremonisë së mortit të Luanit. Dhe do të ndërhynin. Dhe do të sakrifikoheshin. Dhe kjo na bënte të fortë, ndaj edhe alarmi i njërit prej bashkëfshatarëve për të hequr flamurin, fotografinë dhe fletoren e mesazheve se kishte parë dy policë aty afër nuk na kishte prekur mendjen.
-Mos të gabojë kush të heq as fotografinë, as flamurin dhe as fletoren, – ndërhyra në kohën kur po rrija për pak çaste me Ilmiun e lodhur që po pushonte kryeshkallëve.
– Ne jemi këtu dhe lë të hyjë policia nëse do,- i thashë bashkëfshatarit që mbase nuk e dinte se edhe për situata si ajo që parandiente ai, pasi kishte parë policët, njerëzit ishin të përgatitur aty.
Policët vetëm kishin nuhatur dhe ishin kthyer nga kishin ardhur.
Dy javë të tëra njerëz nga shumë anë të vendit nderonin familjen Haradinaj për gjakun e djalit të tyre Luanit, ndërkohë që bashkëluftëtarë të tij roja nderi ishin në ceremoninë e mortit në odën e Ismajlit. Ajo ishte bërë zonë e lirë. Aty frymonte UÇK-ja.
——————
L E T R A
Po letra që duhej shkruar atë vit për Luanin as sot nuk më lë të qetë.
Edhe tashti dy heronj dhe një letër më rishfaqen kur po shkruaj pjesë të shkëputura të rrëfimit të pashpalosur deri tashti për rrugëtimin e 24 marsit, të këtij rrëfimi që nuk ka gjithë trajtat e mundshme, as tërë gamën e ngjarjeve, as ndriçimin e tërësishëm.
Ishte viti 92 ose 93 kur duhej shkruar një letër “anonime”. Nuk e kisha shënuar në ditarin tim se ftohtë bënte atë kohë. Acari i asaj pranvere kishte ngrirë ngjyrën e lapsit për të shënuar datën, muajin dhe vitin e hartimit të saj, por jo edhe kujtesën për të.
Babai i katër gjeneralëve të ardhshëm, Hilmi Haradinaj, që nderohej jo vetëm në Gllogjan, më takon në qendër të fshatit. Përshëndetemi dhe duke ecur ngadalë rrugës së fshatit nisim biseda të përditshmërisë. Pas ca hapash ai ndalet për një moment dhe bashkë me të edhe unë.
-Rasim duhet ta shkruash një letër për Luanin. I duhet në Shqipëri, – më thotë dhe hesht. E dinte se kohë të vështira ishin dhe se letra duhej mbetur fshehtësi midis nesh. Nuk foli më shumë duke lënë të nënkuptohej të dija se ç’kërkesë më bënte. Për një çast, ashtu pa folur, drejton sytë nga unë për të pritur përgjigjen.
-Do ta bëj por letra duhet mbetur fshehtësi, – i them, duke llogaritur në rrezikun që mund t’më kanosej aso kohe. Dhe ai e kishte pritur këtë përgjigje timen, prandaj më siguronte se askush nuk do të merrte vesh për këtë gjë.
-Letra duhet shkruar në Deçan dhe aty duhet vulosur dhe nënshkruar, prandaj dikush duhet të vijë e ta marrë, – i them, pasi kishte kuptuar se nuk hezitoja të kryeja atë punë.
-Po do të vijë ndonjëri nga djemtë, – ishte përgjigja e prerë e tij.
Në një dhomë larg syve të botës, bashkë me Fetnete Ramosajn, hartuam tekstin e letrës që duhej dërguar Luanit në Shqipëri. Ishim miq mes vete dhe i besonim njëri-tjetrit. Fetnetja dha fjalën, edhe pse nuk kërkoja ta bënte një gjë të tillë, se askush nuk do të mësonte për letrën që kishim shkruar. Dhe ashtu doli.
Ishte pasdite kur në një nga rrugicat me kalldrëm shfaqet Shkelzen Haradinaj. Ilmiu e kishte dërguar atë sipas marrëveshjes për ta marrë letrën. Shëklzeni po ecte këmbë rrugës me kalldrëm ndërsa unë nuk ndaja shikimin tek po tretej fundit të saj.
…
ps( pjesë nga rrëfimi ëndërr e këputur, pa asnjë nderhyrje,botuar në librin tim Kitarë e Krisur-2005)