KGJK kërkon prioritet në vaksinimin e stafit gjyqësor, MSH s’i përgjigjet kërkesës

Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ka kërkuar nga Ministria e Shëndetësisë (MSH) që stafi i sistemit gjyqësor të trajtohet me prioritet në procesin e vaksinimit ndaj virusit Covid-19.

Lajme

26/05/2021 09:20

Një kërkesë të tillë, KGJK ia ka drejtuar ministrit të MSH-së, Arben Vitia më 6 maj 2021.

Kërkesën e tillë, KGJK e ka arsyetuar me faktin se stafi i sistemit gjyqësor është i rrezikuar nga infektimi me virusin Covid-19 për shkak të kontakteve të shumta që kanë me palë.

“Mbrojtja e punonjësve përkatësisht vaksinimi është i domosdoshëm, prandaj KGjK ka kërkuar që sistemi gjyqësor të përfshihet në listën e prioriteteve për vaksinim” – thuhet në një përgjigje të KGJK-së për “Betimi për Drejtësi”.

Por, kur janë bërë afër një muaj nga dërgimi i kësaj kërkese, MSH nuk i ka kthyer fare përgjigje KGJK-së.

“Lidhur me këtë kërkesë, KGjK ende nuk ka pranuar përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë” – ka bërë të ditur KGJK për “Betimi për Drejtësi”.

“Betimi për Drejtësi”, ka dërguar kërkesë për informata edhe në MSH ku ka kërkuar të dijë nëse kanë marr ndonjë vendim pas kërkesës së KGJK-së, mirëpo deri në publikimin e këtij raporti nuk ka pranuar përgjigje.

Ndryshe, procesi i vaksinimit ka disa javë që ka filluar në Kosovë. Prioritet në këtë proces deri më tani i është dhënë punëtorëve shëndetësor dhe të moshuarve.