Kerry: Marrëveshja me Iranin e bën botën më të sigurt

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, tha të mërkurën se ka besim tek arritja e një marrëveshjeje përfundimtare me Iranin, pasi presidenti Barack Obama premtoi të nënshkruante një ligj që do ta bënte marrëveshjen objekt të rishikimit nga Kongresi.

Bota

15/04/2015 15:05

Kerry foli para një takimi të Ministrave të Jashtëm të Grupit të Shtatëshes në Gjermani që pritet të përfshijë edhe diskutimin e negociatave që sollën si rezultat një marrëveshje paraprake në fillim të muajit.

“Kemi besim tek aftësia e presidentit për të negociuar një marrëveshje që do ta bënte botën më të sigurt”, tha Kerry.

Presidenti Obama, një ditë më parë, tha se do të nënshkruaj ligjin që do të bëjë të mundur shqyrtimin e marrëveshjes përfundimtare bërthamore nga Kongresi me një votim të mundshëm për ta miratuar ose hedhur poshtë atë.

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë e miratoi këtë masë, pas një kompromisi dypartiak që parashikon një periudhe 30 ditore shqyrtimi dhe verifikimin nga ana e Presidentit çdo 90 ditë se Irani po e respekton marrëveshjen për reduktimin e aktivitetit bërthamor.

Sanksionet e hequra nga Kongresi do të rivendoseshin menjëherë në rast shkeljeje. Ligji do të shqyrtohet tani nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe Senati.