Kërkohet paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e djeshme në Gjakovë
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet N.Z, dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh. “Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në…
Lajme
Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka njoftuar se ka marrë aktvendim për fillimin e hetimeve ndaj të pandehurit me inicialet N.Z, dhe ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.
“Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se me datë 16.03.2026 në ora 05:20 në Gjakovë, Rr.“Vëllezërit Frashëri”, saktësisht në lokalin “M.P.” i pandehuri me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin R.B., duke vënë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit E.M., dhe personave të tjerë që kanë qenë prezent në vendin e ngjarjes, në atë mënyrë që ditën kritike derisa i pandehuri ka qenë me të dëmtuarin E.M., dhe persona të tjerë, në vendin e ngjarjes respektivisht në lokalin e lartcekur shkon tani i ndjeri dhe pas një mosmarrëveshje i pandehuri me armën – pistoletë e llojit TT me kalibër 7.62×25 mm, shtënë disa herë në drejtim tani të ndjerit R.B., e që si pasojë e të shtënave në pjesë të ndryshme të trupit të tij, i njëjti ndërron jetë në afërsi të vendit të ngjarjes”, thuhet në komunikatë të Prokurorisë.
Prokuroria ka njoftuar se si pasojë e të shtënave me armë, i pandehuri ka rrezikuar jetën edhe të personave të tjerë, ku i dëmtuari E.M, ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë për trajtim mjekësor, ndërsa i pandehuri largohet nga vendi i ngjarjes.
“Me këto veprime i pandehuri N.Z., ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” nga neni 173 par.1 nënpar.1.5 të KPRK-së. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 par.1 të KPRK-së. I pandehuri që nga data 16 mars 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh për veprat penale të lartcekur”, ka njoftuar Prokuroria. /Lajmi.net/