Kërkohet nga deputetët që të votojnë zgjatjen e buxhetit deri në muajin mars

Është duke u mbajtur mbledhja e parë punuese e Qeverisë së Kosovës.

Lajme

12/02/2020 10:26

Qeveria e Kosovës është duke mbajtur mbledhjen e saj të parë punuese.

Në këtë mbledhje, Besnik Bislimi, ministër i Financave, ka propozuar para kabinetit qeveritar zgjatjen e ndarjes buxhetore deri në fund të muajit mars, raporton lajmi.net.

Këtë kërkesë të Bislimit e kanë votuar të gjithë anëtarët e kabinetit qeveritar dhe në këtë rast do t’iu kërkohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës që në seancën e radhës të votojnë për zgjatjen e ndarjes së mjeteve buxhetore deri në fund të muajit mars.

Ministri Bislimi, tha ky vendim i Qeverisë së Kosovës do të vlejë deri në momentin kur do të votohet buxheti për vitin 2020.

“Kërkoj që të mbështesni kërkesën që Qeveria të aprovoj vendimin për t’i kërkuar Kuvendit që të votojë për zgjatjen e ndarjes buxhetore për muajin mars. Ky vendim do të vlejë deri në votimin e buxhetit për vitin 2020”, theksoi ministri Bislimi. /Lajmi.net/