Kërkohet mbështetje financiare për të gjitha kompanitë publike regjionale të mbeturinave

Ministri i Ekonomisë dhe Ambientit (MEA), Muharrem Nitaj ka pritur sot në takim drejtoreshën ekzekutive të Asociacionit të kompanive regjionale të mbeturinave në Kosovë PAMKOS, znj. Beu - Muçaj.

Lajme

20/01/2021 15:45

Gjatë takimit ministri Nitaj është njoftuar me gjendjen nëpër kompanitë regjionale të grumbullimit dhe transportimit të mbeturinave, ku u tha se përkundër se këto ndërmarrje ushtrojnë veprimtarinë e tyre në performacën më të mirë gjatë ofrimit të shërbimit për qytetarë në të gjitha komunat në Kosovë, por gjendja nëpër kompani vazhdon të mbetet e vështirë, si pasojë e mungesës së realizimit të të hyrave nga pandemia.

Po ashtu, ministri Nitaj u njoftua se krahas vështirësive në inkasim, kompanitë po përballen edhe me sfida të borxheve të bartura ndaj Administratës Tatimore të Kosovës dhe tatimin mbi vlerën e shtuar, për të cilat kompanitë publike janë të obliguara t’i paguajnë edhe pse inkasimi nuk realizohet dhe që vështirësojnë stabilitetin financiar të kompanive.

Në takim u kërkua rishikimi i mundësisë së mbështetjes financiare për të gjitha kompanitë publike regjionale të mbeturinave (KRM) dhe kompaninë publike të Menaxhimit të Deponive në Kosovë (KMDK), si dhe mundësinë e riprogramimit të borxheve që këto ndërrmarrje kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës.

Njëherësh, PAMKOS u shpreh e gatshme që të bashkëpunojë për të gjitha projektet kapitale në vend dhe në veçanti për ato që si bazë investimi i kanë fondet ndërkombëtare dhe për këtë do të jetë gjithmonë zëri i menaxhimit të mbeturinave dhe ambientit, i cili qartazi synon të ofrojë shërbime profesionale në menaxhimin e mbeturinave në Kosovë. /Lajmi.net/