Kërcënohet edhe u.d. kryeprokurori i Prizrenit, Petrit Kryeziu

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), kanë dënuar ashpër edhe një kërcënim tjetër që është bërë gjatë ditës së sotme përmes rrjeteve sociale ndaj U.D. Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu dhe ndaj organeve të sigurisë. Në reagimin e tyre thuhet se edhe ky kërcënim ka ardhur…

Lajme

11/10/2024 21:04

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), kanë dënuar ashpër edhe një kërcënim tjetër që është bërë gjatë ditës së sotme përmes rrjeteve sociale ndaj U.D. Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu dhe ndaj organeve të sigurisë.

Në reagimin e tyre thuhet se edhe ky kërcënim ka ardhur për shkak të punëve zyrtare që kryejnë këto organe, përfshirë edhe Kryeziun në cilësinë e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të kësaj prokurorie.

“KPK dhe ZKPSH deklarojnë se këto kërcënime janë të drejtuara edhe ndaj organeve të Policisë së Kosovës dhe organeve të ndjekjes dhe përmbajnë edhe ngjyrime dhe emërtime të individëve dhe organizata kriminale dhe duken qartazi se qëllimi i tyre është ndërhyrja në punët e Prokurorit të Shtetit dhe organeve të sigurisë së vendit”, thuhet në reagim.

KPK dhe ZKPSH, gjithashtu, me këtë rast, ua bëjnë me dije individëve të tillë se përkrahin fuqishëm  Kryeziun dhe organet e sigurisë, si dhe i mbështesin plotësisht në punën e misionin e tyre për ndjekjen dhe hetimin e kryeseve të veprave penale.

“KPK dhe ZKPSH, theksojnë se kanë ndërmarrë hapat e nevojshëm ligjor dhe në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe institucionet e tjera janë të angazhuar për të bërë identifikimin dhe arrestimin e kërcënuesve të U.D. Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, z. Petrit Kryeziu dhe përfaqësuesve të organeve të sigurisë dhe nuk do të ndalen deri në ndriçimin e plotë të këtij rasti”, thuhet tutje në njoftim.

Me këtë rast, këto institucione të pavarura dhe kushtetuese, nënvizojnë për të dytën herë gjatë ditës së sotme, se kërcënimet e tilla nuk do të zmbrapsin përkushtimin, synimet dhe përpjekjet e pandalshme për fuqizimin e shtetit ligjor në Kosovë.

Ndryshe sot është njoftuar edhe për një rast tjetër të kërcënimeve ndaj zëvendëskryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Pejë, Ersan Qavolli.