Këngëtarja Leonora Jakupi merr nga Komuna tokë për ndërtim të banesave

Emri i Leonora Jakupit ka qenë më i përfoluri të premten në seancën e Kuvendit Komunal të Skenderajt.

Lajme

26/09/2014 20:15

Këngëtarja nga Drenica ka konkurruar për të marrë në koncesion për 99 vjet një pjesë të pronës komunale, raporton KTV.

E bashkë-ofertues për njësi të tjera të kësaj prone komunale janë edhe Drilon Malaj dhe N.N “Rukolli”, që sipas Vetëvendosjes, janë njerëz të afërt të Sami Lushtakut. Asambleistja e vetme e VV-së në Skenderaj, Ajnishahe Halimi, ka akuzuar udhëheqësit e komunës se të gjitha pronat publike po ia “dhurojnë” kompanisë “Rukolli”.

Ajo pas diskutimit dhe debatit të ashpër me kryesuesin e Kuvendit, Ismet Salihu, ka lëshuar sallën, për të mos qenë pjesë e votimit të dhënies në shfrytëzim të pronës komunale këtyre ofertuesve. Sipas drejtuesve komunalë, Komuna ka përzgjedhur ofertuesit më të mirë dhe se nuk mund t’i obligojnë qytetarët e tjerë që të konkurrojnë.

Derisa nënkryetari i Komunës, Fadil Nura, dhe asambleistë të tjerë të PDK-së, akuzat e Vetëvendosjes ia kanë kthyer me akuza. Kurse akuza e VV-së, që Leonora Jakupi është këngëtare dhe nuk ka të drejtë të konkurrojë në këtë ankand, është quajtur absurde.

Ndërkohë, edhe përkundër reagimit të Vetëvendosjes dhe braktisjes së seancës, asambleistët e pranishëm në sallë kanë votuar që Leonora Jakupi, Drilon Malaj dhe kompania “Rukolli” të marrin në shfrytëzim afatgjatë pronën komunale.

Gjatë kësaj seance, po ashtu është votuar edhe buxheti i Komunës së Skenderajt.