KEK: Njësia B1 e Termocentralit Kosova B është kthyer në operim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se njësia B1 e Termocentralit Kosova B është kthyer në operim, pas përfundimit të disa sanimeve të nevojshme. Në një njoftim të dërguar përmes emailit, KEK-u theksoi se ndërhyrjet janë realizuar në një periudhë kohore më të shkurtër sesa ishte parashikuar. Njoftimi përmban detaje mbi punët kryesore të realizuara…

Lajme

22/06/2025 20:08

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) njoftoi se njësia B1 e Termocentralit Kosova B është kthyer në operim, pas përfundimit të disa sanimeve të nevojshme.

Në një njoftim të dërguar përmes emailit, KEK-u theksoi se ndërhyrjet janë realizuar në një periudhë kohore më të shkurtër sesa ishte parashikuar.

Njoftimi përmban detaje mbi punët kryesore të realizuara gjatë kësaj periudhe:

• Sanimi i rrjedhjeve në kaldajë, duke ndërruar rreth 30 gypa të dëmtuar në nivele të ndryshme;

• Sanimi i rrjedhjeve në kondenzator, me eliminimin e rreth 410 gypave me rrjedhje;

• Intervenime në skarën 1 dhe 2 për përmirësimin e performancës së djegies;

• Riparime në barrierën termike të pompës furnizuese PF1;

• Sanimi i defekteve në filtrin elektrik, në 7 nga 8 fushat e tij, me angazhim të pandërprerë të ekipeve teknike.

Kryeshefi Ekzekutiv i KEK sh.a., z. Gramos Hasani, ka falënderuar të gjithë punonjësit e përfshirë në këtë proces, duke deklaruar:

“Ky sukses është rezultat i punës ekipore dhe përkushtimit të secilit prej jush. Ju falënderoj thellësisht për profesionalizmin dhe vullnetin që treguat në këtë ndërhyrje kaq të rëndësishme dhe sfiduese. Menaxhmenti dhe unë personalisht kemi qenë pranë jush gjatë gjithë kohës për të ofruar përkrahjen tonë, dhe sot ndjehemi krenarë për ju!”