KEDS-i me reduktime të gjata në Podujevë, ankohen bizneset

Qyteti dhe fshatra të Podujevës janë duke u përballur me reduktime të gjata të energjisë elektrike.

Lajme

22/11/2016 14:46

 

 

Ankesat më të mëdha për reduktime janë nga bizneset që po kanë telashe të punojnë.

Blerim Shala, që është pronar i një automekaniku në Podujevë, thotë se e ka të pamundur të funksionojë me gjenerator për shkak të veprimtarisë specifike që e ka dhe shpenzimeve të mëdha.

“4 orë me mbajt ndezur gjeneratorin mi shpenzon mbi 20 euro naftë për shkak të kapacitetit të madh që ka sepse makineria me të cilën punoj është vetëm tre fazore dhe gjeneratori është shumë i madh”, thotë Shala për lajmi.net

Ai shprehet se detyrohet shpesh që t’i mbyll dyert për 4 orë.

“Ndodhë që 4 orë nuk punojmë, i kthejmë myshterinjtë mbrapsht dhe presim derisa të vjen rryma, sepse gjeneratori na shkakton shpenzime enorme”.

Ndërsa kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka kërkuar nga KEDS-i që të ketë planifikim më të mirë dhe të mos bëj reduktime të mëdha, sepse sipas tij, janë bizneset ato që po e pësojnë.

Ai ka shprehur mirëkuptim për investimet që janë duke u bërë nga KEDS-i në këtë komunë, por kërkon më shumë fleksibilitet.

“Reduktimet po janë nganjëherë të shpeshta, dhe bizneset po ankohen. Kam marr ankesa shpesh nga bizneset, që shprehen se iu pamundësohet të funksionojnë. I mirëkuptoj KEDS-in që është duke investuar në Podujevë, por është e udhës te jenë më fleksibil”, ka thënë Veliu për lajmi.net

Në anën tjetër Zyra e Rregullatorit për Energji i ka kërkuar KEDS-it që të mos e ndal energjinë elektrike më pas orës 16:00.

“Në lidhje me ndërprerjet e energjisë elektrike ditëve të fundit, ZRRE mbetët e përkushtuar që problemet me ndërprerjet e energjisë me të cilat konsumatorët janë ballafaquar, të mos përsëriten më. ZRRE ka kërkuar nga KEDS që nga sot, me datë 18.11.2016, e deri nё përfundim të verifikimeve të mëtejshme, ndërprerjet e planifikuara të energjisë elektrike për qëllim të mirëmbajtjes, të mos ketë pas orës 16:00”./Lajmi.net/