KEDS angazhon rreth 400 punëtorë në zonat e afektuara nga moti i ligë

Reshjet e vazhdueshme të shiut dhe borës janë duke bërë që në disa zona të ketë edhe ndërprerje të furnizimit me energji elektrike. 

Lajme

26/01/2021 09:56

KEDS ka reaguar menjëherë, duke angazhuar rreth 400 punëtorë të terrenit për të sanuar dëmet që po shkaktohen në rrjet si pasojë e faktorëve atmosferik. Zonat më të afektuara aktualisht janë: Distrikti i Pejës, Mitrovicës dhe pjesërisht Prishtina.

Ekipet e KEDS janë duke punuar pandërprerë që nga orët e vona të ditës së djeshme në mënyrë që sa më parë të stabilizohet furnizimi me energji elektrike. Mirëpo, kushtet atmosferike janë duke e vështirësuar tej mase intervenimin, pasi që në shumë zona ekipet nuk po mund të depërtojnë me makineritë e rënda, për shkak se terreni është i pakalueshëm nga reshjet. Kësisoj, ata po detyrohen që rregullimin e prishjeve ta bëjnë duke bartur fizikisht të gjithë materialin e nevojshëm.

KEDS fton të gjithë konsumatorët e zonave të afektuara që në rast se shohin avari në rrjet, assesi të mos i afrohen, por të thërrasin menjëherë Qendrën e Thirrjes në numrin pa pagesë 0800 79 100 apo të na shkruajnë përmes rrjeteve tona sociale.