Aksioni tek Agjencia Kadastrale – Prokuroria i ndalon për 48 orë pesë personat e arrestuar

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në orët e hershme të mëngjesit, ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar për vepra të rënda penale. Operacioni është realizuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera. Si rezultat, pesë…

Lajme

06/05/2026 15:16

Prokuroria Themelore në Prishtinë, përmes Departamentit për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka zhvilluar një aksion në orët e hershme të mëngjesit, ku janë arrestuar pesë persona të dyshuar për vepra të rënda penale.

Operacioni është realizuar në Agjencinë Kadastrale të Kosovës dhe në disa lokacione të tjera. Si rezultat, pesë të dyshuar me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH. dhe M.B. janë ndaluar për 48 orë, transmeton lajmi.net.

Sipas Prokurorisë, të dyshuarit në bashkëkryerje dyshohen për veprat penale “Keqpërdorimi i detyrës apo autoritetit zyrtar”, “Falsifikimi i dokumentit” dhe “Legalizimi i përmbajtjes së rreme”.

Hetimet paraprake tregojnë se dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar që daton nga viti 1966, me qëllim përfitimin e kundërligjshëm të një prone. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka hartuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e kësaj prone, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e saj në mënyrë të paligjshme.

Prokurori i Shtetit pritet që brenda afatit ligjor të vendosë për masat e sigurisë ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, duke garantuar.

Komunikata e plotë: 

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti për Krime të Rënda- Njësiti për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, njofton opinionin publik se sot në orët e hershme të mëngjesit ka ndërmarrë një aksion në Agjencinë Kadastrale të Kosovës, dhe në disa lokacione te tjera, ku janë ndaluar për 48 orë pesë (5) persona me inicialet A.B., N.K., A.Q., B.SH., dhe M.B.

Të dyshuarit, dyshohen se në bashkëkryerje, kanë kryer veprat penale ‘’Keqpërdorimi i Detyrës apo Autoritetit Zyrtar’’, nga neni 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprën penale ‘’Falsifikimi i Dokumentit’’ nga neni 390 të KPRK-së, si dhe veprën penale ‘’Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’ sipas nenit 395 të KPRK-së.

Sipas Prokurorisë, dy nga të dyshuarit kanë përdorur një kontratë të falsifikuar të vitit 1966 për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme pronë. Një zyrtar i Gjykatës Themelore në Prishtinë dyshohet se ka krijuar dokumente fiktive për të mundësuar legalizimin e saj, ndërsa dy zyrtarë të Agjencisë Kadastrale të Kosovës dyshohen se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar regjistrimin e pronës në mënyrë të paligjshme.

Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor, do të shqyrtojë mundësinë për caktimin e masës së sigurisë në procedurë penale ndaj të pandehurve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, vazhdon të mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin./lajmi.net/