​KE kërcënon Viktor Orban me sanksione

Komisioni Evropian ka kërcënuar me masa Hungarinë nëse qeveria e kryeministrit Viktor Orban miraton ligjin e diskutueshëm që kufizon punën e organizatave joqeveritare. Miratimi i ligjit për “transparencën në jetën publike” do të impononte rregulla strikte ndaj organizatave joqeveritare të financuara nga jashtë, të cilat konsiderohen si rrezik për sovranitetin e Hungarisë, raporton KosovaPress. Projektligji,…

Bota

24/05/2025 21:04

Komisioni Evropian ka kërcënuar me masa Hungarinë nëse qeveria e kryeministrit Viktor Orban miraton ligjin e diskutueshëm që kufizon punën e organizatave joqeveritare.

Miratimi i ligjit për “transparencën në jetën publike” do të impononte rregulla strikte ndaj organizatave joqeveritare të financuara nga jashtë, të cilat konsiderohen si rrezik për sovranitetin e Hungarisë, raporton KosovaPress.

Projektligji, i paraqitur në parlamentin hungarez nga partia konservatore nacionaliste Fidesz e Orban, përbën një shkelje serioze të ligjit të Bashkimit Evropian, sipas Komisionit duke kërkuar tërheqjen e draftit nga procesi legjislativ.

Nëse ligji miratohet, Komisioni i kryesuar nga presidentja Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se nuk do të hezitojë të merr masat e nevojshme, duke rezultuar në gjoba të larta për shtetet anëtare që nuk respektojnë ligjin e Bashkimit Evropian.

I krahasueshëm me legjislacionin aktual në Rusi, projektligji lejon që organizatat joqeveritare të financuara nga jashtë që mund të ndikojnë në opinionin publik të futen në listën e zezë.

Këto organizata mund të marrin më pas mbështetje materiale nga jashtë vetëm me miratimin e administratës tatimore të vendit ku ato operojnë.

Nëse një organizatë joqeveritare financohet në mënyra të tjera, duhet t’i paguajë shtetit 25-fishin e shumës si gjobë, në të kundërt do të shkrihet dhe do të ndalohet.

Organizatat joqeveritare luftojnë për të drejtat e njeriut, mjedisin ose shëndetin dhe aspekte të tjera të jetës publike. Shembuj të njohur përfshijnë Mjekët pa Kufij, Amnesty International dhe Greenpeace.