Katër vrasje brenda një dite: Kërkohet veprim i institucioneve
Katër persona të vrarë brenda një dite në Kosovë. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren – janë rastet e fundit që tronditën vendin brenda 24 orëve. Në një kafene afër Komunës së Gjilanit, si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir. Më vonë vdiq edhe njëri nga…

Lajme
Katër persona të vrarë brenda një dite në Kosovë. Vrasje e trefishtë në Gjilan, e një tjetër në Prizren – janë rastet e fundit që tronditën vendin brenda 24 orëve.
Në një kafene afër Komunës së Gjilanit, si pasojë e të shtënave me armë u vranë babë e bir. Më vonë vdiq edhe njëri nga të plagosurit rëndë, i cili po trajtohej në spital. Policia e Kosovës është në kërkim të tre personave të dyshuar – Mefail Shkodra dhe dy djemtë e tij të cilët ndodhen në arrati.
I dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan, Mefail Shkodra është person me të kaluar penale, përfshirë edhe në fajde.
Drejtori ekzekutiv i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), Mentor Vrajolli thotë se ky rast tregon për “çalimin e institucioneve të drejtësisë”.
“Duhet të kërkohet llogaridhënie tek institucionet e drejtësisë pse këta persona janë liruar, pse këta persona nuk kanë marrë dënimin e merituar. Fajdeja është një ndër krimet dhe format më të shpeshta të krimit të organizuar në Kosovë, e cila shpesh herë ka pasur edhe forma të tjera të viktimave, ku persona të caktuar janë detyruar të bëjnë vetëvrasje apo ta lëshojnë komplet vendin si rezultat i presioneve që kanë përjetuar. Fajdeja nuk duhet të trajtohet si krim i rëndomtë e mënyra se si është trajtuar ky rast duket qartë se është nënvlerësuar si rast krimi”, tregon Vrajolli.
Gjykata Themelore në Gjilan tha sot se ndaj personit të dyshuar, Mefail Shkodra, nuk ka lëndë aktive në këtë institucion. Sipas njoftimit të gjykatës, Shkodra ka pasur tri lëndë penale dhe të gjitha janë të përfunduara me aktgjykim dënues.
Ndërkaq, sa i përket, dy të dyshuarve të tjerë Edonis Shkodra dhe Engjull Shkodra, gjykata tha se nuk figurojnë në regjistrin e evidencës penale për ndonjë vepër penale të gjykuar me vendim të plotfuqishëm apo ndonjë rast të papërfunduar.
Gjykata Themelore në Prishtinë tha më vonë për KosovaPress se Mefail Shkodra dhe djali i tij, me propozimin e PSRK-së ishin liruar me dorëzani, ku të njëjtit ishin arrestuar për fajde në verën e vitit të kaluar.
Në anën tjetër, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës tha se është duke zhvilluar hetime në dy raste të ndara ndaj Mefail Shkodrës – i dyshuari kryesor për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Këto raste tragjike duhet të vejnë në lëvizje tërë shoqërinë, thotë ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha.
“Një ngjarje e dhimbshme e cila duhet të vejë në lëvizje tërë shoqërinë. Po them kështu sepse nuk mund të jetë vetëm çështje e drejtësisë apo vetëm e policisë. Është një çështje e mentalitetit, e një numri të madh të armëve në duar të qytetarëve, të një mos trajtimi si temë nga gjithë shoqëria, nga gjithë mekanizmat relevantë. Prandaj, këto janë ato defektet tona si shoqëri, shto këtu pastaj edhe narrativën gjithmonë në çdo çështje duke debatuar fillimin eventual të luftës, problemet me Serbinë, qytetarët janë të stërmbushur me tema që në thelb e kanë konceptin e luftës, e dhunës, e armës”, deklaron ai.
Sipas tij, duhet të ketë rishqyrtim të strategjisë për sundimin e ligjit dhe për sigurinë në vend.
KosovaPress ka dërguar pyetje në Ministrinë e Punëve të Brendshme se cilat janë masat që do të ndërmerren dhe si dhe për numrin e armëve pa leje në duart e qytetarëve, por deri në publikimin e këtij artikulli, ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.
Megjithatë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka urdhëruar Inspektoratin Policor të Kosovës që të angazhohet në hetimin e “çdo lëshimi apo përfshirjeje të mundshme të ndonjë pjesëtari të Policisë së Kosovës në veprimtarinë kriminale të Mefail Shkodrës”, i shpallur në kërkim për vrasjen e trefishtë në Gjilan.
Eksperti i sigurisë, Avni Islami thotë se gjatë verës ka rritje të kriminalitetit në vend.
“Në statistikat e kriminologjisë qoftë paralufte apo edhe viteve paslufte, tregojnë se në kohën e verës, në këtë kohë zakonisht rritet kriminaliteti. Qoftë vjedhjet, plaçkitjet, vrasjet, etj. Kjo nuk e arsyeton në asnjë mënyrë këto vrasje që po na ndodhin, vetëm muajin e kaluar patëm disa vrasje, tani më kemi edhe katër vrasje brenda një kohë të shkurtër. Kjo tregon se niveli shoqëror, vetëdija shoqërore tek ne është ende e largët, ndikojnë disa faktorë pse vijnë deri tek kjo pikë. Pra, për shkak se në këtë kohë rritet ekonomia, rritet qarkullimi i njerëzve, rriten edhe kërkesat për blerje dhe të tjera”, shprehet ai.
Mbrëmjen e së dielës u qëllua me thikë edhe një person në Zhur të Prizrenit, i cili vdiq si pasojë e plagëve që mori. Policia ka arrestuar të dyshuarin, ku gjatë bastisjes është gjetur thika me të cilën dyshohet se është kryer vrasja.
Një rast tjetër tragjik, ditë më parë ka ndodhur në fshatin Baicë të Lipjanit, ku u gjet trupi i një personi të groposur. Paraprakisht, familja e kishte lajmëruar si të zhdukur. Policia ka intervistuar katër dëshmitarë, ndërkohë që rasti po hetohet si “Vrasje e rëndë”.
Zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kaltrina Shala tha se hetimet lidhur me këtë rast po vazhdojnë.
“Prokurori i Shtetit dhe njësitet përkatëse janë duke ndërmarrë të gjitha masat dhe veprimet hetimore lidhur me rastin në fjalë”, ka njoftuar ajo.
Ndërkaq, nga Policia e Kosovës treguan për KosovaPress se “gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2024 kanë ndodhur shtatë vrasje. Po ashtu, gjatë periudhës janar-qershor të vitit 2025 shtatë vrasje”.