Katër vjetori i nisjes së luftës: Kurti pret në takim ukrainas që veprojnë në Kosovë: Qëndrojmë me ju

Në katër vjetorin e nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në mbështetje të Ukrainës. Ai është takuar me ukrainas, përfshirë edhe gazetarë nga ky shtet që veprojnë në Kosovë. Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës e njohin dhimbjen e dëbimit dhe humbjes.…

Lajme

24/02/2026 22:46

Në katër vjetorin e nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se Kosova vazhdon të jetë në mbështetje të Ukrainës.

Ai është takuar me ukrainas, përfshirë edhe gazetarë nga ky shtet që veprojnë në Kosovë.

Kurti ka thënë se qytetarët e Kosovës e njohin dhimbjen e dëbimit dhe humbjes.

“Kosova u ngrit nga hiri i luftës për t’u bërë një vend sovran, demokratik dhe i sigurt, sepse populli ynë refuzoi të dorëzohej. Po këtë forcë e shohim sot në Ukrainë. Në shënim të përvjetorit të luftës në Ukrainë, sot pritëm në zyrën e Kryeministrisë gra nga Ukraina që morën pjesë në trajnimin e organizuar për deminim dhe pastrim të mjeteve shpërthyese. Pjesë e këtij takimi ishin edhe gazetarë nga Ukraina që jetojnë dhe veprojnë në Kosovë në kuadër të programit JiR të mbështetur nga qeveria jonë”.

“Edhe pas katër viteve të përpjekjes së Rusisë për të pushtuar Ukrainën, ne qëndrojmë pranë popullit të Ukrainës me empati dhe solidaritet. Qytetarët e Kosovës e njohin dhimbjen e dëbimit dhe humbjes, por gjithashtu e dimë se vendet mund të rindërtohen, të shërohen dhe të dalin më të forta. Besojmë se edhe Ukraina do ta bëjë të njëjtën gjë”, ka shkruar Kurti në Facebook.