Katër mijë euro gjobë për dy serbët që pranuan fajin për huliganizëm në veri

Nenad Milkoviq dhe Aleksandar Llaziq janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim, masë që u është zëvendësuar me gjobë nga 4000 euro, për huliganizëm dhe pjesëmarrje në turmë, më 2021 në veri. Të dy një ditë më parë pranuan fajësinë, ndërsa katër të akuzuarit tjerë Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan…

Lajme

22/10/2025 15:14

Nenad Milkoviq dhe Aleksandar Llaziq janë dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga gjashtë muaj burgim, masë që u është zëvendësuar me gjobë nga 4000 euro, për huliganizëm dhe pjesëmarrje në turmë, më 2021 në veri.

Të dy një ditë më parë pranuan fajësinë, ndërsa katër të akuzuarit tjerë Sreqko Sofronijeviq, Ilija Viqentijeviq, Millan Viqentijeviq, e Marko Rakiq nuk e pranuan.

Nëse të akuzuarit nuk dëshirojnë ose nuk mund të paguajnë dënimin me gjobë, atëherë dënimi me gjobë iu zëvendësohet me dënim me burgim.

Të dy akuzoheshin se në tetor të 2021-s, kishin sulmuar zyrtarët policorë të Kosovës me gurë, shufra druri e metali dhe me granata dore.

Sipas prokurorisë, të gjashtë të akuzuarit ua kanë zënë pritën Policisë duke vendosur barrikada, ndërsa mjetet e blinduara të Policisë janë goditur me plumba nga të shtënat me armë zjarri dhe me granata dore. Për pasojë, tre policë janë plagosur.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i akuzuarit N.M. dhe A.L., me datë 13.10.2021 në Mitrovicën e Veriut në intervalin kohor rreth orës 8:30 deri në orën 10:00 në aksin rrugor afër barnatores LILIA dhe rruga Princi Millosh, udhëkryqi i rrugës që lidhet në drejtim të shkollës Teknike, kanë marrë pjesë me dashje në turmat e mbledhura prej më tepër se dhjetëra personave, numri i të cilëve është rritur dhe ulur varësisht nga lëvizjet e tyre, duke shkaktuar rrezik të përgjithshëm për jetën e njerëzve dhe pasurinë, në atë mënyrë që me veprimet e rrezikshme të turmave kanë gjuajtur në drejtim të zyrtarëve policor dhe doganor me gjë sende të forta, hedhje të bombolave të gazit, shokë bomba e të tjera.

I pandehuri N.M. deri sa është zbatur urdhëri kontrolli në barnatoren Lilia në afërsi të barnatores ka sulmuar zyrtarin policor B.Sh. me mjet të fortë – gurë, nga veprimet e përbashkëta të pjesëmarrësve i është vu flaka automjetit Tojota, ngjyrë e zezë pronë e doganës së Kosovës, ndërsa i pandehuri A.L., me kamionin e tipit Iveko, me mbishkrim J.K.P.Standart Parkink servis” ka bllokuar udhëkryqin për te shkolla teknike që shpie te lagjja e Boshnjakëve të cilën e ka vendosë si barrikadë për bllokimin e rrugës, me ç’rast janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe rrezik për jetën e njerëzve”, thuhet në njoftim.

Të dy të pandehurit N.M. dhe A.L. me veprimet e tyre dhe me veprimet e përbashkëta me turmat e personave kanë kryer veprën penale Pjesëmarrja në Turmë që kryejnë vepër penale dhe Huliganizëm, nga neni 404 par 1 të KPRK-së

Gjykata sipas detyrës zyrtare e ka bërë ricilësimin e veprës penale për të dy të akuzuarit nga dispozita ligjore e neni 412 në nenin 404 par 1 të KPRK-së.

Kundër këtij Aktgjykimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.