Katër komunat në veri të Kosovës kërkojnë tërheqjen e ligjit për Trepçën

12:43 | 7 Tetor 2016

Asamblistët komunalë të katër komunave në veri të Kosovës, Zveçan, Zubin Potok, Leposaviq dhe Mitrovicë e Veriut, kanë marrë vendimin që “të mos i pranojnë vendimet për statusin e Trepçës dhe t’i shpallin të pazbatueshme në territorin e katër komunave në veri të Kosovës’, nëse “Kuvendi i Kosovës i miraton pa një marrëveshje paraprake me përfaqësuesit e punëtorëve të Trepçës dhe menaxhmentin e saj në veri”, thuhet në konkluzat e miratuara në takim.

Asamblistët e katër komunave në veri të Kosovës u takuan urgjentisht të premten dhe në konkluzat e miratuara në takim, që drejtohej nga kryetarët e komunave në veri, thuhet se “shprehin fuqishëm kundërshtimin ndaj projektligjit për Trepçën dhe kërkohet tërheqja e tij nga procedura e shqyrtimit”.

Asamblistët kërkojnë që “për këtë çështje të diskutohet me menaxhmentin dhe përfaqësuesit e punëtorëve në Trepçë, në pjesën veriore” dhe me, siç thuhet në konluzat e miratuara, “pronarët e vërtetë të Trepçës”.

Konkluzat e asamblistëve u nënshkruan nga kryetarët e Kuvendeve Komunale dhe kryetarët e komunave të veriut të Kosovës, në kohën kur në veri është thirrur një tjetër protestë e qytetarëve serbë.

Në dy ditët e kaluara minatorët serbë të Trepçës janë mbledhur në Mitrovicën e veriut dhe në Leposaviq, me kërkesën për “heqjen nga rendi i ditës në Kuvendin e Kosovës të Ligjit për Trepçën”.

Takimi i asamblistëve të komunave në veri erdhi pak orë përpara se Kuvendi i Kosovës të fillojë leximin e parë të projektligjin për Trepçën, që Qeveria e Kosovës ia dërgoi Kuvendit nga mesi i javës. Projektligji u kundërshtua nga ministrat serbë në qeverinë e vendit.