Katedralja ua ndal dritat protestuesve “kundër islamizmit të Gjermanisë” (Foto&Video)

Një nga katedralet më të famshme të Gjermanisë, Katedralja e Kelnit (Köln), mbrëmë ka ndalur dritat në shenjë pakënaqësie me marshin që ishte paralajmëruar të mbahej afër saj nga “Patriotët evropianë” me moton “kundër politikave të emigracionit” dhe “kundër islamizimit të Perëndimit”.

Bota

06/01/2015 10:02

Katedralja ka vlerësuar se marshet e tilla janë ekstremiste dhe raciste, duke vlerësuar lartë qëndrimin e kancelares Angela Merkel dhe të Bundestagut Gjerman, që u ka bërë thirrje qytetarëve të bojkotojnë protestat që kanë filluar nga një organizatë, sipas saj e dyshimtë, e quajtur “Patriotët Evropianë”.

Protesta kundër “islamizmit” në Keln u mbyll me më pak se 250 veta. Ajo dështoi pasi ashtu si Katetralja, edhe autoritet vendosën të ndalin rrymën në pothuajse tërë qendrën e qytetit, pranë lumit Rhine, në ura dhe shumicën e rrugëve që conin në drejtim të vendit ku ishte paralajmëruar të mbahej protesta e “patriotëve evropianë”.

Mijëra qytetarë të Kelnit, qytet i katërt për nga madhësia në Gjermani, bojkotuan fushatën e “patriotëve”, të njohur si “Pegida”, u mblodhën në një anë tjetër të qytetit për të kundërshtur  marshin “antiislamik”.

“Ne nuk mendojnë se ajo është një protestë dhe nuk mendojmë se ka të bëjë me krishterimin. Nëse në këtë protestë ka të krishterë, konservatorë që mbështesin ekstremistët, atëherë duhet të mendojnë se cfarë janë duke bërë”,  ka thënë Norbert Feldhoff, Dekan i Katedrales, njofton BBC, transmeton lajmi.net.  

Ndërsa Juergen Roters, kryebashkiaku i qytetit të Kelnit, i cili dha urdhër për ndaljen e dritave në qendër të qytetit, tha se autoritetet dhe qytetarët e Kelnit iu dërguan mesazh demokratik ekstremistëve.

“Me ndaljen e dritave ne u dërguam një mesazh demokratik Pegid-as dhe përkrahësve të ekstremizmit. Shumë qytetarë u mblodhën kundër marshit për të treguar ne këtu nuk kemi të bëjmë asgjë me ekstremizmin e krahut të djathtë dhe ksenofobët”, tha kryebashkiaku Roters.

Një nga sloganet e shpeshta të protestuesve kundër emigracionit të huaj në Dresden ishte “ne jemi populli”. “Patriotët evropian” e filluan këtë marsh në Dresden në prag të Krishtlindjeve, u mblodhën dje sërish në këtë qytet dhe në qytete tjera, duke thënë se nuk janë ekstremistë, dhe se kundërshtojnë politikat e shtetit për emigracionin e huaj.

Por në fjalimin e saj për Vitit të Ri, kancelarja Angela Merkel bëri thirrjen direkte qytetarëve që të bojkotohen manifestimet kundër të ashtuquajturit “islamizim të Gjermanisë”.

Ajo tha se synimi i organizatorëve të protestave është që të nxisin ndjenja kundër njerëzve me fe dhe kombësi tjetër. “Sot disa thërrasin ‘ne jemi populli’. Por ajo që mendojnë me të vërtetë është: Ju nuk bëni pjesë në këtë popull, për shkak të ngjyrës së lëkurës ose fesë”, tha kancelarja.

Prandaj Merkeli u bëri thirrje të gjithëve, që shkojnë në këto protesta që të mos i dëgjojnë organizatorët, sepse në zemrat e tyre, siç u shpreh kancelarja, “shumë shpesh ka paragjykime, ftohtësi dhe madje urrejtje”.

Protestat janë kthyer në një problem të papritur për Gjermaninë, një vend të njohur për tolerancë. Edhe kjo është një arsye, pse Gjermania është vendi i dytë në botë i preferuar nga të huajt, pas SHBA-ve. Në vitin 2013 në Gjermani mbërritën mbi 460 mijë migrantë, ndërsa më 2014-ën rreth 200 mijë.

Nga ana tjetër, numri i madh i të ardhurve po shkakton edhe pakënaqësi. Por kancelarja Merkel ka nënvizuar se numri i refugjatëve është rritur sa asnjëherë që prej Luftës së Dytë Botërore, në të gjithë botën. Dhe se është e vetëkuptueshme që Gjermania të pranojë njerëz që kërkojnë strehim.