Kastrati i kthehet punës në komunë: Jam shëruar nga virusi, nuk e infektova askënd

Qëndron Kastrati, kryetar i komunës së Kamenicës ka arritur ta mposhtë koronavirusin.

Lajme

02/07/2020 13:15

Siç ka shkruar ai në Facebook, është shëruar dhe tanimë do t’i kthehet punës së tij në zyre, shkruan lajmi.net.

“Shqetësimi im më i madh ka qenë nëse unë kam qenë bartës i virusit tek dikush tjetër, sidomos tek ata që mund të jenë më të rrezikuar e me sëmundje kronike”, ka shkruar ai.

Megjithatë, Kastrati ka thënë se fatmirësisht nuk e ka infektuar askënd gjatë kësaj periudhe.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë,

Sipas protokollit të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, konsiderohet se jam shëruar plotësisht nga pandemia COVID-19.

Janë bërë 25 ditë që nga kontakti me një person që ka rezultuar pozitiv, 21 ditë prej që jam izoluar dhe 17 ditë nga testimi për këtë virus. Për gjithë këtë periudhë fatmirësisht nuk kam pasur asnjë simptomë dhe konsiderohet që kam qenë prej të infektuarve asimptomatik.

Shqetësimi im më i madh ka qenë nëse unë kam qenë bartës i virusit tek dikush tjetër, sidomos tek ata që mund të jenë më të rrezikuar e me sëmundje kronike.

Por, në këtë situatë unë jam tejet i lumtur që asnjë nga kontaktet e mia nuk kanë rezultuar pozitiv, përfshirë këtu familjen e kolegët. Arsyeja është shumë e thjeshtë! Kujdesi dhe respektimi i udhëzimeve nga organet kompetente. Këtë periudhë, zyrën e kam zhvendosur në shtëpi dhe kam punuar prej aty, kurse tani do i rikthehem punës në komunë për qytetarët tanë.

Prandaj, ju lutem të gjithëve të mendoni fillimisht për veten, familjen e njerëzit që ju rrethojnë. Me vetëm tre hapa të thjeshtë, ju ulni rrezikun e shpërndarjes tek ta. /Lajmi.net/