Kapen dy kosovarë pa leje qëndrimi, njëri me dokumente bullgare
Në kantonin Zug, në Zvicër, në dy raste janë kapur me punë dhe qëndrim ilegal dy shtetas kosovarë. Njëri prej tyre kishte dokumente të falsifikuara bullgare.
Lajme
Policia e Kantonit të Zug-ut, me rastin e një kontrollimi të bërë në një impiant ndërtimi në Neuheim, ka zënë një kosovar 22-vjeçar duke punuar ilegalisht. Pasi ka parë policinë, ai është përpjekur të ikë, por policët e kanë kapur pas disa metrash. Me këtë rast është konstatuar se ai është me qëndrim ilegal në Zvicër dhe nuk ka leje pune, transmeton albinfo.ch.
Prokuroria shtetërore e kantonit e ka dënuar punëtorin ilegal kosovar me burg efektiv prej 40 ditësh. Ndërkohë, Zyra për Migracion ka vendosur dëbimin e tij nga Zvicra dhe ndalimin e hyrjes në Zvicër pas dëbimit.
Vetëm pak ditë më parë, të hënën, policia e Zug-ut ka zënë edhe një punëtor tjetër në “të zezë”. Bëhet fjalë për një të ri 23-vjeçar, po ashtu nga Kosova. Ai është zënë me rastin e një kontrollimi të automjeteve. Kur i kanë kërkuar dokumentin, ai ka ofruar një leje njoftimi dhe një patentë shoferi nga Bullgaria, shkruan infoticker.ch.
Pas kontrollimit me metoda kriminalo-teknike është konstatuar se të dy dokumente janë të falsifikuara. Ai ka pranuar se është nga Kosova dhe se punon pa leje si ndihmës transporti.
Prokuroria e shtetit e ka dënuar kosovarin me kusht prej 80 njësish ditore dhe me një gjobë. Ndërkohë, Zyra për Migracion e ka dëbuar atë të enjten për në Kosovë. Po kështu, i është ndaluar hyrja në Zvicër për tre vjet.