Kamberi kërkon reagim nga Lawlor ndaj shkeljes të të drejtave të shqiptarëve në Serbi

Raportuesja speciale e OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Mary Lawlor ka shprehur shqetësim mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, pas veprimeve të dhunshme të autoriteteve në Beograd ndaj protestave të studentëve, por nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme sa i përket gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.…

Lajme

18/01/2025 21:20

Raportuesja speciale e OKB-së për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut Mary Lawlor ka shprehur shqetësim mbi gjendjen e të drejtave të njeriut në Serbi, pas veprimeve të dhunshme të autoriteteve në Beograd ndaj protestave të studentëve, por nuk ka pasur asnjë fjalë të vetme sa i përket gjendjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Lawlor në një postim në platformën X u ka bërë thirrje autoriteteve në Beograd të ndalojnë dhunën e ushtruar ndaj qytetarëve serbë.

“Arrestimet arbitrare, përcjelljet, shpifjet dhe çdo formë tjetër ngacmimi janë të papajtueshme”, ka thënë ajo.

Analistja Kaltrina Kamberi në rrjetin X ka pyetur raportuesen speciale të OKB-së për të drejtat e njeriut nëse ajo ndan të njëjtin shqetësim edhe për shkeljen e të drejtave të shqiptarëve nga regjimi i Beogradit.

“Apo kjo çështje nuk ju shqetëson në të njëjtën mënyrë? A do të ndërmerrni veprime për të mbrojtur të drejtat e njeriut të të gjitha komuniteteve në Serbi, apo fokusi është vetëm te komuniteti serb?”

Kamberi ka thënë se derisa nuk ndërmerret asnjë masë ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq dhe qeverisë së tij autoritare pro ruse, situata nuk do të përmirësohet.

Shqiptarët nga Lugina e Preshevës vazhdimisht po diskriminohen dhe po u shkelen të drejtat nga Serbia. Ata vitin e kaluar kanë mbajtur disa protesta ku është kërkuar të ndërpritet pasivizimi i adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohja e diplomave, vende të punës dhe institucione të hapura për të gjithë.

Komisioni Evropian dhe Ministria e Punëve të Jashtme e Gjermanisë vitin e kaluar kanë shprehur shqetësimin për pasivitetin e adresave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, duke theksuar se kjo tendencë e Serbisë bie ndesh me obligimet që ka ky vend për respektimin e të drejtave të pakicave.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në Serbi, shqiptarët janë pakica e katërt më e madhe për nga numri, me rreth 61 mijë shqiptarë të regjistruar.