Kadri Veseli me lule te Shtatorja e Nënë Terezës

ZëvendësKryetari i PDK’së, Kadri Veseli, shkoi në Mitrovicë dhe vuri lule para Shtatores së Nënë Terezës, e cila u rrëzua gjatë ditës së djeshme dhe ende nuk janë zbardhur motivet e këtij akti. Ai tha se i përkulet me respekt e dashuri Nënës Terezë.

Lajme

20/01/2014 19:13

Kadri Veseli, gjatë ditës së sotme, ka shkuar në Mitrovicë, ka vënë lule para Shtatores së Nënë Terezës, si dhe ka shpërndarë një mesazh dashurie për të.

ZëvendësKryetari i PDK’së vizitoi Mitrovicën, një ditë pasi shtatorja e humanistes së madhe shqiptare ishte rrëzuar, ndërkohë që ende mbeten të pazbardhura motivet e këtij akti që u dënua ashpër.

Veseli, i cili ishte i shoqëruar edhe nga Ish Kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati, ka postuar në llogarinë e tij në Facebook fotografitë dhe mesazhin e tij.

“Para shtatores së shqiptares së madhe Gonxhe Bojaxhiu alias Nënë Tereza, sinonimit të vlerave më të larta shqiptare, sot vendosa lule në shenjë nderimi.”

“Nënë Tereza në udhëtimin e saj nëpër dhembjet njerëzore barti me vete botën humane shqiptare, respektin mes njerëzve, tolerancën mes besimeve dhe përkushtimin e kujdesin ndaj njerëzve në fatkeqësi.”

“I përkulem me respekt të thellë dhe shumë dashuri veprës së saj, devotshmërisë në shërbim të njeriut, natyrës dhe Zotit”, ka shkruar Veseli.