Kadri Kryeziu i drejtohet Presidentes Osmani: “Kosova sot ka nevojë për lidership!”
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka publikuar një letër të hapur drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, ku e fton të ndërmarrë hapa të guximshëm për të zhbllokuar proceset institucionale në vend. Kryeziu shprehet i shqetësuar për situatën politike në vend, të cilën e quan “alarmante”, dhe thekson nevojën për veprim të menjëhershëm nga…

Lajme
Ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Kadri Kryeziu, ka publikuar një letër të hapur drejtuar Presidentes Vjosa Osmani, ku e fton të ndërmarrë hapa të guximshëm për të zhbllokuar proceset institucionale në vend.
Kryeziu shprehet i shqetësuar për situatën politike në vend, të cilën e quan “alarmante”, dhe thekson nevojën për veprim të menjëhershëm nga kreu i shtetit.
“Fatkeqësisht, shteti i Kosovës sot ka rënë pre e inateve primitive politike dhe është bërë peng i një gjenerate politikanësh të papërgjegjshëm,” shkruan ai, duke e cilësuar këtë moment si kritik për të ardhmen e Republikës.
Ai argumenton se kushtetuta nuk e kushtëzon funksionalizimin e Kuvendit me zgjedhjen e të gjithë nënkryetarëve, sidomos të atyre nga komunitetet jo-shumicë, dhe i bën thirrje Presidentes që të konstatojë përfundimin e konstituimit të Kuvendit dhe të nisë afatet për formimin e Qeverisë.
“Ju duhet të tregoheni e guximshme dhe ta konstatoni që konstituimi i Kuvendit ka përfunduar,” thotë Kryeziu, duke shtuar se Kryesia ka kuorumin e nevojshëm për funksionim dhe se pozitat vakante mund të plotësohen më vonë.
Ai gjithashtu nënvizon se deputetët që kundërshtojnë këtë qasje janë të lirë ta sfidojnë dekretin në Gjykatën Kushtetuese.
Në përfundim, Kadri Kryeziu e fton Presidenten Osmani që të tregojë “guxim dhe lidership”, duke paralajmëruar për rreziqet që i kanosen themeleve të shtetit dhe të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë./lajmi.net/