“Ka qenë shumë e lëvizshme”- RrGGK dhe AGK i reagojnë gazetarit Nevrij Ademi për deklaratat skandaloze të dhënë për të ndjerën Daorsa Spahiu

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) ka reaguar ashpër pas deklaratave të bëra në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ku gazetari Nevrij Ademi, gjatë një lidhjeje direkte, kishte përdorur gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj studentes së ndjerë Daorsa Spahiu, e cila ndërroi jetë në Tetovë. Ademi kishte thënë në transmetim se e ndjera…

Lajme

07/11/2025 16:14

Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës (RrGGK) ka reaguar ashpër pas deklaratave të bëra në emisionin “Ora Shtatë” në Klan Kosova, ku gazetari Nevrij Ademi, gjatë një lidhjeje direkte, kishte përdorur gjuhë fyese dhe paragjykuese ndaj studentes së ndjerë Daorsa Spahiu, e cila ndërroi jetë në Tetovë.

Ademi kishte thënë në transmetim se e ndjera ishte “shumë e lëvizshme” dhe se “dyshohet se ka përdorur lëndë narkotike” – deklarata që, sipas RrGGK-së, janë thellësisht të papërgjegjshme, denigruese dhe pa bazë faktike, transmeton lajmi.net.

Në reagimin e publikuar, RrGGK thekson se një gjuhë e tillë paragjykuese “cenon rëndë dinjitetin e viktimës dhe dhimbjen e familjes së saj, si dhe përforcon stereotipe dhe stigmatizim ndaj grave në hapësirën publike.”

“Gazetarët dhe mediat bartin përgjegjësi të lartë shoqërore, veçanërisht kur raportojnë për ngjarje të ndjeshme që lidhen me jetën dhe vdekjen e një personi. Përdorimi i gjuhës paragjykuese dhe pa bazë faktike është joprofesional dhe dëmton rëndë besimin e publikut në media”, thuhet në reagimin e RrGGK-së.

Rrjeti kërkon nga Klan Kosova që të heqë menjëherë përmbajtjen fyese nga platformat e saj dhe të kërkojë publikisht falje për transmetimin e deklaratave që, sipas tyre, “cenojnë integritetin e viktimës dhe shkelin kodin e etikës së mediave.”

Reagimi i RrGGK-së është shpërndarë edhe nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), i cili ka mbështetur qëndrimin e rrjetit dhe ka kërkuar nga mediat të tregojnë kujdes të shtuar në raportimet për raste të ndjeshme.

Në fund, Rrjeti i Grave Gazetare të Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë të monitorojë me vëmendje raportimin mbi këtë dhe raste të tjera që prekin dinjitetin e grave e vajzave, duke kërkuar përgjegjësi profesionale dhe njerëzore nga çdo medium dhe gazetar në vend./lajmi.net/