Ka mbetur shumë pak punë për Ligjin e Zgjedhjeve

Halit Krasniqi thotë se Komisioni Ad-Hoc ka kryer 90% të punës, ndërsa ka mbetur edhe pjesa politike, që Ligji për Zgjedhjet t’i dorëzohet i plotë Kuvendit. Pohon se ka mbetur e pazgjidhur çështja e pragut zgjedhor dhe votat preferenciale.

Lajme

01/02/2014 19:30

Anëtari i Komisionit për Legjislacion, Halit Krasniqi, thotë se 90 për qind e punës për plotësim/ndryshimin e Ligjit për Zgjedhjet ka përfunduar, ndërsa ka mbetur vetëm edhe pjesa politike.

Sipas tij, me një takim të përbashkët të liderëve politikë do të përfundonte kjo çështje, e më pas do të bartej tek Komisioni për Legjislacion.

Në një prononcim për lajmi.net, Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Halit Krasniqi, shprehet se çështja për plotësim/ndryshimin e Ligjit mund të përfundojë brenda një periudhe të shkurtër kohore.

“Tani, 90 për qind e punës që duhet bërë për plotësim/ndryshimin e Ligjit, Komisioni Ad-Hoc për Reformë Zgjedhore e ka përfunduar”.

“Ka mbetur pjesa politike, e cila është dashur të përfundohet, pastaj gjithsesi të kërkohet ndërhyrja dhe mendimi i lidershipit politik. Ata, me një takim të përbashkët, mund t`i përmbledhin këto qëndrime që  të unifikohen bashkërisht dhe pastaj t`ia përcjellim Komisionit”.

“Komisioni për Legjislacion, ndërkaq, mund ta kryejë punën për një kohë të shkurtër dhe pastaj ta dorëzojë Ligjin e plotë në Kuvend”.

“Qëndrimet e lidershipit duhet të inkorporohen në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës dhe asgjë tjetër më nuk ka nevojë”.

Krasniqi thotë se kanë mbetur që të zgjidhen vetëm çështjet që kanë të bëjnë me pragun zgjedhor dhe votat preferenciale.

“Ky vullnet është manifestuar në takimin e fundit nga liderët e partive politike dhe unë mendoj që tash vetëm do të hidhet në letër kjo marrëveshje. Gati është vendosur që të ketë një zonë zgjedhore, listat do të jenë të hapura, tani kanë mbetur vetëm pragu zgjedhor dhe votat preferenciale”.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës me shumicë votash të premten e kanë ngarkuar Komisionin Legjislativ me përgjegjësinë për  propozim të rekomandimeve të cilat që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, kompetenca të cilat deri më tani i kishte Komisioni Ad-Hoc.

Ky Komision, i cili u emërua në prill të vitit 2011, kishte një afat të përcaktuar prej 6 deri në 9 muaj që të reformojë Ligjin për Zgjedhjet, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur as pas gati tre vjetësh, pas mospajtimeve në mes të liderëve politikë.