Ju shqetësojnë qimet e errëta të barkut gjatë shtatzënisë, ja si t’i hiqni pa shumë dhimbje

Ato shfaqen si pasojë e çrregullimeve hormonale në organizëm, si rrjedhojë lëkura zgjerohet dhe qimet që duhej të shfaqeshin në zonën e bikinit shfaqen në bark.

Lifestyle

13/09/2021 16:54

Shtatzënia është një ndër periudhat më të bukura në jetën e një femre. Një periudhë e mbushur me gëzim, emocione, frikë , ankth dhe dyshime.

Krahas ndryshimeve psikologjike dhe përgjegjësisë që sjell prindërimi, ndryshimet fizike janë një tjetër sfidë e re për nënën e ardhshme. Por një nënë para së gjithash është një grua dhe si e tillë dëshiron të kujdeset për paraqitjen e saj.

Kujdesi i parë nis me ushqyerjen e shëndetshme, aktivitetin fizik, sakaq nuk mund të lihet pas edhe higjiena intime. Gjatë kësaj faze shumë femra vënë re një ndryshim të çuditshëm në trupin e tyre, shfaqjen e qimeve në bark.

Ato nisin që nga lukthi dhe vazhdojnë deri në fundin e barkut. Gjyshet do të thonin se mund të prisni djalë, por ky mit nuk është i vërtetë.

Ato shfaqen si pasojë e çrregullimeve hormonale në organizëm, si rrjedhojë lëkura zgjerohet dhe qimet që duhej të shfaqeshin në zonën e bikinit shfaqen në bark.

A mund të depilohen këto qime? Sigurisht që po, por jo të gjitha mënyrat janë të lejueshme.Nuk këshillohet aspak depilimi me lazer pasi është toksik, rrezit e tij kanë pasoja të dëmshme si për nënën dhe fetusin.

Kremi depilues ka përmbajtje lëndësh kimike dhe mund të japë irritim të lëkurës, e cila është më e ndjeshme se zakonisht. Zgjidhja më e mirë është brisku, pasi thjesht këput qimen dhe nuk ndërhyn në brendësinë e lëkurës. Fillimisht njomni barkun me ujë ngrohtë që qimja të zbutet.

Në qoftë se nuk doni të përdorni pastë rroje, mund ta zëvendësoni fare mirë me vaj bajamesh ose kokosi. Lyeni barkun me vaj, më pas kaloni briskun nga ana e kundërt e qimes. /Lajmi.net/