Jozefina Topalli përplaset me përfaqësuesin serb në NATO

Në sesionin e 60-të të Asamblesë Parlamentare të NATO-së, që këtë vit po mbahet në Hagë, është zhvilluar një polemikë mes delegacionit të Serbisë dhe atij të Shqipërisë në lidhje me ushtrimet e përbashkëta ushtarake të Serbisë dhe Rusisë.

Lajme

24/11/2014 18:08

Siç kanë bërë të ditur sot nga Parlamenti i Serbisë, përfaqësuesi i Serbisë në Asamblenë Parlamentare të NATO-së, Dragan Shormaz ka ndërhyrë në fjalimin e shefes së delegacionit të Parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli, e cila sekretarit të përgjithshëm Stoltenberg i bëri pyetje për stërvitjet e përbashkëta të forcave të armatosura të Serbisë dhe Rusisë dhe vërtetësinë e pretendimeve se Rusia ndihmon forcat e armatosura serbe, raporton AA.

Me këtë rast shefi i delegacionit serb Dragan Shormaz theksoi se kolegët nga Parlamenti i Shqipërisë nuk posedojnë informacione të sakta për këto aktivitete të Serbisë dhe Rusisë.

“Kjo është një përgatitje për stërvitje të përbashkëta ushtarake mes Serbisë dhe SHBA-ve”, tha Shormaz”, njofton Parlamenti serb.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg në fjalën e tij theksoi se Serbia është një shtet Sovran, i cili  vendos vet për bashkëpunimet me vendet e tjera, kurse për NATO-n rajoni i Ballkanit Perëndimor është shumë i rëndësishëm, kështu që në këtë drejtim bashkëpunimi me Serbinë është me rëndësi të madhe.

Në Serbi, në fushën e trajnimit në Nikinci, më 14 nëntor të këtij viti u zhvillua një stërvitje e përbashkët ushtarake e Ushtrisë serbe dhe Forcave të Armatosura të Rusisë, në të cilën morën pjesë më shumë se 400 ushtarë.

Më parë ka pasur paralajmërime se në këto ushtrime do të marrin pjesë edhe pjesëtarët e Forcave të Armatosura të Shqipërisë.