Jo të gjithë deputetët e LDK-së do ta votojnë Hashim Thaçin president

Kryeministri Isa Mustafa u shpreh i bindur ditë me parë se marrëveshja e koalicionit me PDK-në do të zbatohet dhe Hashim Thaçi do të jetë president në vitin 2016, kur edhe i përfundon mandati Atifete Jahjagës.

Lajme

01/03/2015 15:02

Por, një gjë e tillë mund të jetë më e vështirë se sa e mendon Mustafa.

Përveç opozitës, një numër jo i vogël edhe i deputetëve të vet pozitës, konkretisht të LDK-së, qysh tani janë të vendosur që të mos e dëgjojnë shefin e tyre të partisë, për ta mbështetur kandidaturën e Hashim Thaçit për president të vendit.

Madje, përveç votës kundër, ata thonë se nuk do të qëndrojnë fare në sallën e Kuvendit, për ta bërë kuorumin në momentin kur kandidatura e ish kryeministrit të shkojë për votim në seancë plenare.

Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e cila ishte kategorikisht kundër koalicionit me PDK-në dhe votoi kundër, thotë për KosovaPress se ajo nuk do të votojë Hashim Thaçin për president në vitin 2016.

Përveç votës kundër, Osmani thotë se nuk do të qëndrojnë në sallë të Kuvendit, në mënyrë që të mos ketë kuorum dhe të pamundësohet zgjedhja e Thaçit president.

“Po, është krejt e natyrshme që kundërshtimi im ka qenë një kundërshtim ndaj koalicionit në tërësi, që vota ime nuk do të shkojë për Hashim Thaçi president. Mendoj që Hashim Thaçi në krye të shtetit nuk do t’i bënte nder Kosovës, prandaj edhe nuk shoh arsye për ta votuar. Dhe, shpresoj po ashtu që do të ketë një numër mjaft të madh të deputetëve që do ta refuzojnë një propozim të tillë, duke pamundësuar edhe kuorumin në ditën kur arrin ky propozim në Kuvendin e Kosovës”, tha Osmani.

Deputetja Osmani thotë se ajo sheh se ka një vullnet mjaft të madh të deputetëve që të mos e përkrahin Hashim Thaçin për president të vendit dhe të pamundësojnë kuorumin në ditën kur një propozim i tillë të shkojë në Kuvendin e Kosovës.

Osmani thekson se do të bashkëpunojë me secilin deputet të Kuvendit, qoftë të LDK-së apo edhe të partive tjera, i cili mendon se ka kandidat tjetër më të mirë për president sesa Hashim Thaçi.

“Natyrisht që unë do të bashkëpunoj me secilin deputet të Kuvendit të Kosovës, pavarësisht a është nga LDK-ja apo nga partitë e tjera e që mendon njëjtë, se Kosova ka kandidat më të mirë që tu zgjedhur president i vendit. Dhe është krejt e natyrshme që unë mos ta votoj Thaçin për president sepse kam kundërshtuar që nga fillimi koalicionin dhe kam kundërshtuar marrëveshjen në tërësi, jo vetëm një pjesë”, shton ajo.

Edhe deputeti tjetër nga LDK-ja, Adem Salihaj nuk do t’i bindet shefit të tij që ta votojë Hashim Thaçin për president.

Ai ka shprehur qëndrimin e tij kundër ish-kryeministrit që të zgjidhet Ppesident sipas marrëveshjes së koalicionit qeverisës PDK-LDK.

“Mendoj që nuk i bën mirë Kosovës që një kryeministër që ka lejuar për vite të tëra që krimi ta mbërthejë shtetin e Kosovës në të gjitha sferat e tij, tash të jetë edhe president i Kosovës dhe për një mandat 5 vjeçar ta dëmtojë sërish Kosovën. Unë mendoj që kjo nuk i bën mirë Kosovës, nuk i bënë nder. Kosova është vlerësuar shumë negativisht në aspektin e luftimit të krimit, korrupsionit, të hajnive të llojllojshme dhe Hashim Thaçi ka qenë kryeministër dhe ka përgjegjësi për këto. Prandaj do të ishte e palogjikshme, nuk do të jetë aspak në të mirë të Kosovës që ai të jetë president i Kosovës, sepse kjo nënkupton që të gjitha ato të këqija që kanë qenë me vite gjatë qeverisjes së tij në një formë do të vazhdojnë përsëri dhe unë jam i bindur se do ta dëmtojnë Kosovën”, tha Salihaj.

Përveç deputetëve të LDK-së, edhe deputët e opozitës janë shprehur kundër kandidimit të Hashim Thaçit për postin e presidentit.

Deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi shprehet se Isa Mustafa kryeministër është projekt i Hashim Thaçit që të përfitojë nga votat e LDK-së për t’u bërë president në vitin 2016.

“Pra e tërë kjo është projekt i Thaçit që i bie se edhe vet Mustafa të jetë brenda projektit të Thaçit. Tash ne do të vijmë në një situatë kur do t’i skadojë mandati residentes dhe normalisht që ne do të jemi fuqishëm kundër këtyre kalkulimeve, kundër këtyre llogaritjeve në kurriz të interesit qytetarëve dhe kundër këtyre skemave që janë më shumë skema të nëntokës politike se sa projekte politike”, shprehet Selimi.

Megjithatë realizimin e marrëveshjes dhe zgjedhjen e liderit të tyre në postin e kreut të shtetit e presin deputetët e PDK-së.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu pret që të jetë një konsensus i koalicioni për zgjedhjen e Hashim Thaçit në postin e presidentit.

“Pres që kjo marrëveshje ndërmjet dy liderëve, Thaçit dhe Mustafës, të respektohet, sepse do të ishe parimore edhe para qytetarëve të Kosovës dhe para gjithë anëtarësisë së PDK-së dhe LDK-së që të ketë një konsensus politik. Në të kundërtën, unë mendoj që është edhe në vullnetin e vet deputetëve të Kuvendit, votimi do të jetë brenda Kuvendit të Kosovës dhe pres që ne si deputetë të reflektojmë. Unë besoj që ne si PDK do të jemi pro emërimit të ministrit të Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, për president. Kjo mbetet të shihet sepse do të votohet në Parlament dhe do të jetë e hapur për opinionin publik”, thekson ajo.

Deliu pret që edhe kuorumi brenda sallës do të jetë i nevojshëm që votimi të zhvillohet dhe Thaçi t’i marrë votat e nevojshme për zgjedhjen në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar.

Mandati i presidentes Jahjaga përfundon në mars të vitit 2016 dhe sipas marrëveshjes së koalicionit PDK-LDK, menjëherë, ish kryeministri Thaçi do të nominohet nga partia që ai drejton për ta marrë postin e presidentit të Kosovës, raporton KosovaPress.