Jiping uron Nishanin për 65 vjet marrëdhënie diplomatike

Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ka marrë një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës Popullore të Kinës, Xi Jinping, me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kinezo-shqiptare.

Lajme

24/11/2014 18:51

Xi Jinping në mesazhin e tij për Nishanin ka dërguar përshëndetje të ngrohta për gjithë popullin shqiptarë.

“Me rastin e 65-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike kinezo-shqiptare, në emër të qeverisë kineze dhe popullit kinez, si dhe në emrin tim personal, i shpreh Shkëlqesisë Suaj dhe nëpërmjet jush popullit mik shqiptar urime të ngrohta dhe përshëndetjet më të mira”.

“Shqipëria është një nga vendet e para që kanë njohur Republikën Popullore të Kinës dhe ka dhënë kontributin për rikthimin e Kinës në vendin e saj të ligjshëm në OKB. Gjatë këtyre 65 vjetëve, marrëdhëniet midis Kinës dhe Shqipërisë janë zhvilluar përpara në mënyrë të pandërprerë, duke kaluar provat e ndryshimeve të situatës ndërkombëtare. Baza shoqërore dhe popullore e marrëdhënieve të dy vendeve tona ishte shumë e fortë. Shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fushat ekonomiko-tregtare, njerëzore-kulturore, etj., janë duke u zgjeruar hap pas hapi. Të dyja palët kanë zhvilluar një bashkëpunim dhe komunikim të mirë në çështjet ndërkombëtare e rajonale. Përmbajtjet e marrëdhënieve kinezo-shqiptare janë pasuruar në mënyrë të pandërprerë dhe kanë shfaqur gjallëri të madhe”, ka shkruar në urim presidenti i Kinës.

“Tani, zhvillimi i marrëdhënieve kinezo-shqiptare po përballet me një të ardhme më të gjerë. Unë i kushtoj një vëmendje të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kinezo-shqiptare dhe jam i gatshëm për të punuar së bashku me ju për të çuar marrëdhëniet midis dy vendeve tona në një nivel më të lartë. Uroj që miqësia kinezo-shqiptare të trashëgohet brez pas brezi! I uroj prosperitet Shqipërisë dhe lumturi popullit shqiptar”, përfundon mesazhi i Jinping, raporton Shekulli, transmeton lajmi.net.