Jemi të interesuar për dialog me serbët e Kosovës dhe jo me Beogradin

Albin Kurti tha se Vetëvendosje do të ndryshojë në mënyrë demokratike simbolet shtetërore. Hapat integrues, siç janë unifikimi i abetareve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë nuk janë zëvendësim për bashkim, por janë hapa drejt bashkimit kombëtar.

Lajme

26/05/2014 21:27

(E plotësuar 20.52)

Në vijim lideri i VV-së tha se nëse ai vjen në krye të qeverisë së ardhshme, ai do t\’i qesë kushte Serbisë për dialog me Kosovën.

Ai tha në KTV se Vetëvendosje është më shumë e interesuar të fillojë dialogun me serbët e Kosovës sesa me Serbinë si shtet, dhe ai beson se integrimi i tyre mund të bëhet përmes barazisë dhe jo përmes privilegjeve.

“Me fitoren tonë ndodh ndryshimi sepse jemi në kontrast me krejt këto partitë e tjera. Ne Serbisë do t\’i vëmë kushte për çfarëdo dialogu”.

“Besoj që me dy proteza Serbia bie në defanzivë. E para duke kërkuar që të ndryshojë Kushtetutën ku thuhet se Kosova është pjesë e saj, duke kërkuar falje, duke bërë pagimin e dëmeve të luftës, duke kërkuar reciprocitet për të drejtat e shqiptarëve në Serbi dhe duke i vënë reciprocitet në mallrat që hyjnë në Kosovë”.

“Ne do ta zëvendësojmë dialogun me Serbinë me serbët e Kosovës sepse jemi të interesuar në integrimin e tyre i cili ne besojmë se ndodh me barazinë mes qytetarëve”.

“Nuk do ta bëjmë me privilegje, por duke integruar qytetarët serb; brenda institucioneve”, tha lideri i Vetëvendosjes.

Kurti: Duam bashkim kombëtar por edhe BE-në

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se subjekti i tij politik nuk heq dorë nga ideja që të ndryshojë simbolet shtetërore.

Në emisionin Rubikon të KTV-së, ai tha se në mënyrë demokratike dhe paqësore do të mundohen që të ndryshojë flamurin dhe simbolet e tjera shtetërore.

“Ndryshimet që do t\’i bëjmë do të jenë paqësore dhe demokratike. Ne nuk do ta nisim Luftën e Tretë Botërore. Neni 1.3 (flamuri) mendojmë se nuk është demokratik dhe ne mendojmë se duhet ta heqim”.

“Si synim i joni është dhe natyrisht që nuk heqim dorë. Për ne simbolet e shtetit nuk janë as historike e as demokratike”.

“Nuk është teoritikisht e pamundshme dhe praktikisht që të kemi një flamur”.

Duke folur për bashkimin kombëtar, Kurti tha se problemi kryesor është se Kosova është sovrane, prandaj nuk po ndodh bashkimi me Shqipërinë.

Ai tha se përafrimet në legjislacion apo dhe në arsim mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të shihen si hapa drejt bashkimit dhe jo si zëvendësim i asaj.

“Ne jemi të vetëdijshëm që bashkimi me Shqipërinë nuk varet vetëm nga Vetëvendosje, por edhe nga Shqipëria. Ne duhet të kemi bisedime intensive me Qeverinë e Shqipërisë”.

“Hapat integrues nuk i shohim si zëvendësim për bashkimin kombëtar, por i shohim si hapa drejt bashkimit kombëtar”.

“Ka një tendencë nga Thaci që hapat integrues të paraqiten si zëvendësim për bashkim”.

Albin Kurti beson se integrimi në BE i Kosovës nuk do të thotë që përjashton bashkimin me një shtet tjetër. Ai mendon se Kosova nuk do të hyjë në BE edhe në 10 vjetët e ardhshme.

“Ne nuk e shohim BE-në dhe bashkimin kombëtar si kontradiktore. BE nuk do të duhej ta kundërshtonte bashkimin kombëtar, por njëkohësisht as të mos paraqitej si zëvendësim për të. Ne jemi gjithsesi të interesuar që Kosova të integrohet në BE, por unë mendoj që nuk është reale të mendosh se Kosova do të hyjë për 10 vjet në BE”, tha Kurti.