Januzaj në histori të Man Utd

Adnan Januzaj u bë futbollisti i dytë më i ri në histori të Manchester Unitedit që luajti në një Kampionat botëror. Mesfushori ishte titullar në fitoren e Belgjikës ndaj Koresë së Jugut në Grupin H.

Sport

27/06/2014 01:32

Adnan Januzaj nuk shkëlqeu me lojën e tij kundër Koresë së Jugut, por paraqitja i mjaftoi që të hyjë në histori të Manchester Unitedit si futbollisti i dytë më i ri i gjigantit anglez, që luajti në një Kampionat botëror.

19-vjeçari u inkuadrua nga minuta e parë në ballafaqimin kundër Koresë së Jugut, i fundit në kuadër të Grupit H, ku Belgjika shënoi fitore 1:0 dhe e mbylli me pikë maksimale rrethin e parë të garës.

Dhe, 60 minutat sa i kaloi në fushë, Januzajn e kanë bërë futbollistin e dytë më të ri të Manchester Unitedit që luajti në garën më të rëndësishme të futbollit ndërkombëtar.

Rekordin e mban Norman Whiteside i cili luajti me Irlandën e Veriut në Botërorin 1982 në Spanjë, në moshën 17-vjeç.