Janjiq: Marrëveshje, por jo e Paqes

Dushan Janjiq thotë se në fund të bisedimeve Kosovë-Serbi (pas 2-3 vjetëve), do të ketë një marrëveshje pajtimi, por se ajo nuk do të quhet e paqes. Sipas tij, në pranverë të vitit të ardhshëm do të arrihet edhe një marrëveshje në mes të palëve, që do të quhet – Marrëveshja e dytë Brukselit. 

Lajme

03/09/2014 16:23

Marrëveshja e pajtimit në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë, por se jo në vitin e ardhshëm.

Kështu ka thënë për lajmi.net analisti nga Beogradi, Dushan Janjiq, i cili vlerësoi se një marrëveshje e tillë, është e obligueshme të arrihet pas 2 apo 3 vjetëve, kur do të përfundojnë negociatat në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Janjiq tha se më së largu në pranverën e vitit të ardhshëm, do të arrihet edhe një marrëveshje në mes të dy palëve (Kosovës dhe Serbisë), të cilën ai e quajti Marrëveshja e Dytë e Brukselit.

Ky analist serb mohoi mundësinë që kjo marrëveshje të quhet si “Ndërkombëtare e Paqes në mes të Kosovës dhe Serbisë”, të cilën e kishte deklaruar Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçit, gjatë Samitit për Ballkanin Perëndimor të mbajtur ditë më parë në Berlin.

Mirëpo, Janjiq pajtohet deri diku me deklaratën e kryeministrit kosovar, ku thuhet se faza e dytë e dialogut të Brukselit do të përmbyllet me një marrëveshje të pajtimit.

Janjiq tha se marrëveshja e fundit do të jetë e një niveli të tillë, pasi që kjo i është kërkuar Serbisë edhe në letrën me kërkesa të dërguar nga Gjermania dhe Britania e Madhe gjatë vitit të kaluar, ku në mesin e tyre, paraqiten edhe tre pika që kanë të bëjnë me marrëdhëniet me Kosovën, e që janë kusht për shtetin serb.

“Unë mendoj se, jo vetëm që është reale dhe e mundshme, por edhe e paraparë që në fund të procesit të normalizimit të marrëdhënieve, të nënshkruhet një marrëveshje e obligueshme. Kjo është paraparë edhe në letrën e dërguar nga Gjermania dhe Britania e Madhe”.

“Unë nuk do ta quaja këtë si Kryeministri Hashim Thaçi si një marrëveshje të paqes, pasi që lufta ka mbaruar me marrëveshjen e Kumanovës, por me siguri që do të ketë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare”.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq dhe disa zyrtarë tjerë në Beograd, ishin deklaruar kategorikisht kundër mundësisë së nënshkrimit të një marrëveshje të tillë. Ata deklaratën e Kryeministrit Thaçi e quajtën si veprim për konsum të brendshëm.

Lidhur me deklaratat mohuese të politikanëve serbë, Janjiq thotë se këta të fundit e dinë mirë se do të ketë një marrëveshje dhe se kjo i obligohet edhe me letrën Gjermano-Britanike, por se nuk dëshirojnë ta bëjnë publike në opinion. Ndërsa, sipas tij, këta politikanë po i referohen marrëveshjes së dytë të Brukselit, e cila do të arrihet më së largu në pranverë.

“Kjo për çka janë duke folur politikanët serbë, të cilët nuk po dëshirojnë të tregojnë këtë pjesë, por dihet se ky është një kusht për anëtarësim në Bashkim Europian. Ata janë duke folur për marrëveshjen e dytë të Brukselit për normalizim të marrëdhënieve, që me siguri do të arrihet në pranverë të vitit të ardhshëm”.

“Kjo marrëveshje do të caktojë rrugën e të dyja vendeve drejtë BE-së. është e vështirë të caktohen datat, por është e sigurt që do të vije deri tek ajo”.

Janjiq tha se politikanët serbë janë në dijeni pas 2 apo 3 vjetëve do të duhet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare, para se të plotësohen kushtet për anëtarësim të Serbisë në BE. Por se, sipas tij, këtë nuk e thonë klasa aktuale qeverisëse, pasi që, deri në atë kohë, këtyre do t’iu kalojë mandati.

“Politikanët serbë nuk kanë dashur të pranojnë këtë, pasi që, siç e thash, kjo marrëveshje nuk do të ndodhë në vitin e ardhshëm, por ka fundi i bisedimeve, pas 2-3 vjetëve. Kjo i bie që deri në atë kohë, kësaj qeverie të Serbisë do t’i kalojë mandati, dhe si rrjedhojë, aktualisht ata nuk kanë nevojë të flasin për këtë”.

“Dihet qartë se çfarë shkruhet në letrën e shkruar nga Britania dhe Gjermania, por nuk dëshirojnë që këtë ta thonë në publik”, thotë Janjiq për lajmi.net.