Janjiq: Marrëveshja e Brukselit është në “komë spitalore”, Asociacionin e premtoi pushteti në Serbi, s’ishte reale
Dusan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka vlerësuar se Marrëveshja e Brukselit, ndonëse hapi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dy apo tre vitet e fundit praktikisht ka ngecur. “Ka përjetuar atë që unë do ta quaja – në dy apo tre vitet e fundit është në një lloj ‘kome…
Lajme
Dusan Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike ka vlerësuar se Marrëveshja e Brukselit, ndonëse hapi rrugën për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në dy apo tre vitet e fundit praktikisht ka ngecur.
“Ka përjetuar atë që unë do ta quaja – në dy apo tre vitet e fundit është në një lloj ‘kome spitalore’. Herë pas here zgjohet, si në rastet e konflikteve, si Banjska, herë pas here shfaqet ndonjë i ashtuquajtur takim në nivel të lartë, por ai nivel i lartë në fakt mungon”, tha Janjiq.
Sipas tij, Bashkimi Evropian që nga fillimi shmangu përcaktimin e kritereve të qarta për suksesin e procesit.
“Nëse thoni normalizim, kjo është si një det pa brigje. Duhet të vendosen pikë orientimi, ujëra ndërkombëtare, ujëra vendore – dhe kjo nuk është bërë kurrë”, shpjegoi ai.
Ai shtoi se më vonë Komisioni Evropian, pa u konsultuar me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, “e shfuqizoi zyrën për monitorimin e zbatimit”, me çka zbatimi i marrëveshjes nuk monitorohet më dhe nuk hartohen raporte.
Si dështimin kryesor, Janjiq përmend përjashtimin e qytetarëve nga procesi.
“Mëkati i parë ishte që nuk u mor parasysh nevoja për të përcaktuar kritere të sakta dhe që procesi të shoqërohej me raportim. Mëkati i dytë, ose gabimi i fabrikës, ishte përjashtimi i qytetarëve dhe i nevojave të tyre”, theksoi ai, duke kujtuar se fillimisht nga procesi u përjashtuan serbët e Kosovës dhe Kisha Ortodokse Serbe, e më pas edhe publiku i gjerë.
Duke folur për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, Janjiq tha se premtimi ishte jorealist që në fillim.
“Dihej që nga momenti i parë se ishte jorealist. Por këtë e premtonte pushteti në Serbi”, tha ai, duke shtuar se greva për Trepçën në janar të vitit 2015 ishte “fundi i iluzionit për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe dhe për Listën Serbe si dikë që mund të artikulonte interesat e serbëve”.
Si pasojë të të gjithë procesit, ai përmendi thellimin e distancës etnike dhe shpërnguljen e serbëve, duke dhënë një vlerësim të qartë për përgjegjësinë:
“Pavarësisht se si e masim, kush është fajtor e kush jo – faturën më të madhe në fund të gjithë këtij procesi do ta paguajë komuniteti serb.”
Ai shtoi se nga procesi kanë përfituar vetëm një numër i vogël njerëzish.
“Kjo matet lehtë – kush ishte pranë pushtetit, ai u pasurua”, tha Janjiq.
Duke komentuar krizën aktuale lidhur me prokurorët dhe gjyqtarët në veri të Kosovës, Janjiq vlerësoi se bëhet fjalë për një vendim të motivuar politikisht në prag të zgjedhjeve dhe jo për zbatim konsekuent të ligjit, ndërsa reagimin e ambasadave ndaj këtij vendimi e quajti “cinizëm”.
Në fund, ai vlerësoi se koncepti i normalizimit në formën e deritanishme është konsumuar.
“Ka ardhur koha të kuptojmë se koncepti i normalizimit nuk funksionon më. Kush pret që ambasadat do t’ia zgjidhin problemet, gabon”, tha ai.
Janjiq pret një angazhim më të madh të Shteteve të Bashkuara në Ballkan, duke paralajmëruar njëkohësisht se braktisja e menjëhershme e termit “normalizim” mund ta “rikthejë Rusinë në lojë”.