Janë shpifje

AAK thotë se Kryetari i saj, Ramush Haradinaj nuk është pajtuar që pakicave t’u vazhdohen mandatet e rezervuara në Kuvend. Raportimet e tilla, kjo part ii quan shpifje të qëllimshme.

Lajme

14/12/2013 07:51

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës i ka quajtur “shpifje” raportimet e ditëve të fundit se kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj është pajtuar që pakicave në Kosovë t’u vazhdohen ulëset e rezervuara në Kuvendedhe për dy mandate tjera të legjislativit.

Në një deklaratë të lëshuar mbrëmë vonë, AAK ka thënë se “kjo nuk është aspak e vërtetë”.

“AAK bën të ditur se kjo nuk është aspak e vërtetë dhe i konsideron këto shpifje të qëllimshme dhe tendencioze kundër Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarit Ramush Haradinaj, me qëllim të kompremetimit dhe diskreditimit të punës, programit, vizionit dhe qëllimit tonë”, thuhet në deklaratë.

“AAK dhe kryetari Haradinaj ka qëllimin, vizionin dhe platformën e qartë politike, që nuk ka të bëjë me njërin apo tjetrin subjekt politik dhe puna jonë nuk bëhet as për nevojat e njërit e as për dëshirat e tjetrit subjekt apo lider politik në Kosovë”.

“Kryetari Haradinaj dhe AAK nuk janë dakorduar me askënd që minoritet t’i kenë të rezervuara edhe për dy mandate ulëset në Kuvendin e Kosovës. Këto raportime janë shpifje të qëllimshme e tendencioze kundër AAK-së dhe kryetarit Haradinaj”, thuhet në deklaratën e AAK’së.