Jahjaga: Bridge Film Festival – mundësi bashkëpunimi mes komuniteteve

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se organizimi i festivalit të filmit “Bridge Film Festival”, do të ndikojë në ndryshojë imazhin negativ që është krijuar për urën e lumit Ibër në Mitrovicë.

ShowBiz

06/08/2014 18:26

Këto komente Jahjaga i bëri gjatë një takimi me organizatoret e këtij festivali, i cili mbahet për herë të parë në qytetin e Mitrovicës.

Në një komunikatë për media të Presidencës, thuhet se gjatë këtij takimi, Jahjaga ka mbështetur këtë nismë, e cila, sipas saj, do të arrijë t’i bashkojë artistë nga të gjitha komunitet.

“Presidentja Jahjaga vlerësoi idenë e organizatoreve të Bridge Film Festival për organizimin e një festivali që synon ndryshimin e imazhit të qytetit të Mitrovicës dhe njëkohësisht edhe të urës në  këtë qytet. Ajo tha se përfshirja në këtë projekt e të gjitha komuniteteve që jetojnë në Mitrovicë, reflekton bazën mbi të cilin është ndërtuar shteti i Kosovës ku të drejtat dhe liritë e të gjitha komuniteteve janë të garantuara me Kushtetutë”, thuhet në këtë komunikatë.

“Presidentja Jahjaga tha se nisma të tilla që kanë për qëllim ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis komuniteteve në Kosovë kontribuojnë në ndërtimin e paqes dhe të ardhmes prosperuese të të gjithë shoqërisë”.

Drejtoresha Ekzekutive e Bridge Film Festivalit, NerimaneFerizi falenderoi Presidenten Jahjaga për mbështetjen e saj të pakursyer për të promovuar dhe avancuar rolin e grave në çdo fushë të shoqërisë.