Jabllanoviq për luftën në Kosovë, keqardhje që nuk ka mundur të luftojë për Serbinë
Para se të bëhej sikur e ka humbur kujtesën, ministri i Kthimit në qeverinë e Isa Mustafës, Aleksandar Jabllanoviq kishte folur për luftën shumë larg Leposaviqit, ku ishte rritur si tinejxher.

Lajme
Në nëntor 2013, një ditë para zgjedhjeve, në televizionin Mir, Jabllanoviq dukej sikur shprehte keqardhje që personalisht nuk kishte mundur të luftojë për Serbinë në Kosovë.
Por, thoshte se njerëzit e partisë së tij kanë luftuar në vijën e parë të frontit në Koshare e Morinë.
“Në veri të Kosovës dhe Metohisë jemi dëshmitarë se ka njerëz që duket sikur nuk jetojnë në këtë kohë dhe në këtë hapësirë, që nuk lejojnë të punojmë të gjithë në mënyrë të përbashkët. Këta janë njerëz që bëjnë anti-fushatë. Fushatë kundër kujt, kundër çkaje? Bëjnë fushatë për mbajtjen e Serbisë në Kosovë, por punojnë kundër shtetit të Serbisë. Ne në zgjedhjet e Kosovës dalim si njerëz seriozë dhe përgjegjës, si njerëz që të parët kemi dalë në barrikada, unë s’ mund ta them për vete, sepse nuk e kam pasur mundësinë, por ne në radhët tona kemi njerëz që të parët kanë dalë në luftime për ta mbrojtur shtetin e Serbisë në Koshare, në Goruzhup e në Morinë. Ne kemi njerëz të tillë në radhët tona. A janë këta njerëz tradhtarë? Këta njerëz e kanë mbrojtur shtetin e tyre dhe ne në këto zgjedhje kurrë nuk do të dilnim sikur të mos na ftonte Republika e Serbisë dhe qeveria e Republikës së Serbisë”, kishte deklaruar Jabllanoviq, transmeton Koha.net, teksa kishte treguar edhe pse është formuar Lista Serbe, e që është mbetja e Serbisë brenda Kosovës në të gjitha fushat e jetës.
“Lista Serbe është krijuar me qëllimin e vetëm që është formimi i Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë dhe Metohi. Të gjitha listat e tjera, pa dashur të ofendoj askënd, janë krijuar për interesa individuale dhe kanë për qëllim të vijnë në pushtet, në mënyrë që drejtuesit e saj të pasurohen brenda natës në llogari të popullit këtu dhe këtë e kemi parë në 15 vjetët e fundit të gjithë. Lista Serbe është krijuar me vetëm një qëllim – mbajtjen e Serbisë në Kosovë, mbajtjen e institucioneve të Serbisë, pa të cilat nuk funksionon populli dhe kjo ka të bëjë me arsimin sipas planprogramit të Serbisë, shëndetësinë dhe mirëqenien sociale. Ne jemi të interesuar t’i tregojmë popullit tonë që sistemi i drejtësisë pas zgjedhjeve nuk do të jetë sistem i drejtësisë i Republikës së Kosovës. Mund të ketë ndonjë dokument ku shkruan Republika e Kosovës, por duhet ta pranojmë se Kodi Penal i Republikës së Serbisë me atë të Republikës së Kosovës është pothuajse i njëjtë dhe i shkruar nga Brukseli dhe BE-ja”, kishte deklaruar Jabllanoviq.
Tash ministër i Mustafës, i vetmi kryeministër për Jabllanoviqin është Vuçiqi dhe e vetmja qeveri legjitime ajo në Beograd.
“Ajo që kemi bërë ka qenë një protestë përkrahëse me të cilën ne kemi dashur t’ia kujtojmë qeverisë së Republikës së Serbisë, aty ku është qeveria e vërtetë, e qeveria jonë është në Beograd dhe atje do të jetë gjithmonë. Ne gjithmonë do të jemi me ta, përkundër faktit që pa ndonjë arsye Aleksandar Vulinit i është ndaluar hyrja në Kosovë. Për këtë arsye nuk ka mundur të vijë as Aleksandar Vuçiq që me shumë kënaqësi e kemi shpallur qytetar nderi të Leposaviqit. Por, ne deshëm t’u themi se një vendim i institucioneve të përkohshme të Prishtinës nuk është një vendim që zgjat me shekuj. Ata për Asociacionin e Komunave Serbe që do të formohet nesër janë gjithmonë të mirëseardhur, si përfaqësues të vetëm të shtetit prej të cilit jemi të pandarë – Republikës së Serbisë”, ka deklaruar Jabllanoviq.
Shefi formal i Jabllanoviqit, Isa Mustafa nuk ka lejuar vartësit e tij të tjerë që të flasin publikisht për komentet skandaloze të vazhdueshme të ministrit për Kthim kundër Kosovës. (Koha.net)