Ja pse bashkatdhetarët nga Zvicra vijnë me vetura luksoze në Kosovë

Rrugët e vendlindjes, gjatë pushimeve ngjajnë me një sallon të veturave luksoze. Veturat si BMW-të dhe markat tjera gjermane janë ato që mbizotërojnë.

Lifestyle

14/01/2015 18:12

Koha e pushimeve të mërgimtarëve në vendlindjet e tyre, përveç që i mbush qytetet me njerëz, mbush edhe rrugët me vetura nga më të ndryshmet. Natyrisht, veturat luksoze rrugëve të vendlindjes janë ato që më së shumti tërheqin vëmendjen e qytetarëve atje.

“Po, kur të shkoj në Kosovë në pushim verës apo dimrit me veturë, është normale që vetura ime dallon prej veturave të atjeshme. Për shkak të kushteve ekonomike që  janë atje edhe mundësitë për të pasur një veturë luksoze janë më të vogla. Mirëpo nuk do të thotë që nuk ka vetura të mira dhe luksoze edhe në Kosovë” thotë Kastriot Kryeziu, i cili ka një veturë BMW të markës X5.

Kastrioti është në Zvicër që nga viti 2009 dhe thotë se deri më tash ka pasur vetura të ndryshme, prodhime nga shtete të ndryshme por se veturat gjermane i pëlqejnë më shumë.

“Kam pasur edhe vetura tjera, por Mercedesi, Audi dhe BMW më pëlqejnë më shumë. Në të ardhmen kam në plan që ta kem një BMW 7, kjo është një ëndërr e imja” shprehet Kastrioti 28 vjeç nga Zürich-u.

Rrugët e vendlindjes, gjatë pushimeve të mërgimtarëve ngjajnë me një sallon të veturave luksoze. Atje nuk është vështirë t`i dallosh veturat “e jashtit” që përveç tabelave me kryqin zviceran që dallohen nga largësia, ato vazhdimisht janë të pastra. Mërgimtarët atje nuk e kanë vështirë ta mbajnë veturën të pastër vazhdimisht kur dihet se autolarjet janë shumë lirë për standardin e tyre. Me vetëm 2.50 deri 3 € vetura do të shkëlqejë, madje pa pasur nevojë fare që pronari të “laget” me ujë.

Thuajse çdo i ri që vjen për herë të parë në Zvicër, ka dëshirë të blejë një veturë luksoze, kryesisht të prodhimin gjerman. Pse?

Nevoja reale për makinë të fortë apo dëshira për t`u dukur?

“Ne si shqiptarë në Zvicër rregullisht udhëtojmë në pushim në vendlindje, dhe kemi nevojë për një veturë të fuqishme më të fortë. Kjo është arsyeja e vetme se pse shqiptarëve po edhe të tjerëve u interesojnë veturat e gjermanit” thotë Jashar Zymberi, i cili merret me shit-blerjen e veturave.

Ai, së bashku me vëllanë e tij Nexhatin, tash një kohë të gjatë merren me shit-blerjen e veturave. Ata këtë e kanë shndërruar në biznes të tyre dhe tashmë posedojnë një hapësirë të madhe me vetura nga më të ndryshmet, por kryesisht të prodhimit gjerman. Ata thonë se interesimi për këto vetura është i madh, dhe se shqiptarët  kanë besim më të madh në punën e gjermanëve.

“Gjermanët njihen për kualitetin e punës, dhe shqiptarët i besojnë më shumë punës së gjermanëve, por po ashtu edhe pjesët mund të gjinden më lehtë pasi që Gjermania është në Evropë. Pasi që jemi në Zvicër, ne kemi më shumë klientë zviceranë por një përqindje e mirë janë edhe shqiptarë, dhe sidomos para pushimeve sezonale ka një interesim më të madh të tyre për veturat” thotë Nexhat Zymberi.

Në vendlindje thuajse është krijuar një mit se nëse je duke jetuar në Zvicër, sigurisht që “duhet” të kesh një BMW, Audi apo Mercedes!

“Zviceranët pa i bo një milion franga, nuk blejnë veturë luksoze, kurse tek ne shqiptarët është më ndryshe. Është më ndryshe sepse ne nuk jetojmë vetëm në Zvicër, ne nëse i kemi një apo dy javë pushim, shkojmë në vendlindje. I bëjmë 2000 km rrugë, dhe kemi nevojë për vetura të sigurta, sepse udhëtojmë me familje” shton Nexhati.

Ende nuk jemi ngopur me luks

Është shkruar shumë nëpër portalet online për lojtarët shqiptarë si Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili e Pajtim Kasami, të cilët në grumbullimin e përfaqësueses së Zvicrës para ndeshjes me Slloveninë kanë shkuar me veturat më luksoze, dhe dallonin nga lojtarët tjerë. Kurse, kishte disa nga lojtarët e ekipit helvetik që drejt kësaj qendre kanë shkuar me autobus.

“Zviceranët i kanë kaluar shumë më herët këto kënaqësi, kurse ne shqiptarët ende nuk jemi të ngopur me luks. Edhe për këtë arsye shqiptarët blejnë makina të shtrenjta” tha Jashari. Ai shton po ashtu se para 10 viteve, interesim më të madh ka pasur për Mercedesin por tash më shumë për BMË dhe VË.

Sipas vëllezërve Jashari, që janë pronarë të një garazhe veturash, interesimi për blerjen e veturave me “leasing” është i mirë, por këta u preferojnë klientëve të tyre që më mirë të presin dhe të kenë durim që të ruajnë të hollat dhe kur të blejnë ndonjë veturë ta blejnë me të holla “kesh” në dorë.

Shumica e mërgimtarëve shqiptarë vendlindjen e vizitojnë minimum dy herë në vit, gjatë pushimit të dimrit dhe të verës, dhe fatkeqësisht për këto dy sezone çmimi i biletave të fluturimit është shumë i lartë. Kështu ata në një farë mënyre janë të “detyruar” të udhëtojnë me vetura duke u detyruar të kalojnë një rrugë prej rreth  20 orësh rrugë, nëse kanë fat të mos kenë kolonë në kufijtë e Serbisë.

Më së shumti u besohet gjermanëve

“Gjermanët njihen për kualitetin e punës, dhe shqiptarët i besojnë më shumë punës së gjermanëve, por po ashtu edhe pjesët mund të gjinden më lehtë pasi që Gjermania është në Evropë. Pasi që jemi në Zvicër, ne kemi më shumë klientë zviceranë por një përqindje e mirë janë edhe shqiptarë, dhe sidomos para pushimeve sezonale ka një interesim më të madh të tyre për veturat. /albinfo.ch/

shiko më tepër në: http://www.albinfo.ch/shqiptaret-dhe-dashuria-e-tyre-per-bmw-ne/