Ja çfarë presidenti ka Serbia: Rreptësisht ndalohet fotografimi në fshatin e tij

Në hyrje të fshati Bajçetina, fshatin e lindjes së Tomisllav Nikoliqit, në tabelën me emrin e këtij vendbanimi është vendosur edhe shenja që ndalon fotografimin. 

Lajme

29/12/2014 23:00

Si njofton gazeta Blic e Beogradit, shenjën për ndalimin e fotografimit e ka vendosur Komuna e Kniqit me urdhër të MPB-së, dhe kjo është vetëm një pjesë e masave të sigurisë që janë ndërmarrë gjatë dy vjetëve të fundit në këtë fshat, ku Nikoliqi vjen shpesh dhe ku ka shtëpi me oborr dhe arë, transmeton lajmi.net.

Bajçetina është një vend periferik, që është interesant vetëm për gjahtarë dhe bjeshkatarë. Sipas fjalëve të gjahtarëve, kalimtarët e rastit, kryesisht bjeshkatarë, që kalojnë në afërsi të shtëpisë së Nikoliqit, legjitimohen nga policia.  

Si tregoi për gazetën beogradase një druvar, para pak kohësh në një breg mbi shtëpinë e presidentit Nikoliq ai u befasua nga një njeri i maskuar, për të cilin më pastaj kishte kuptuar se i përket njësisë “Kobra”, e cila e ruan presidentin.  

Në këtë fshat që është larg prej Kragujevcit pak mbi 15 kilometra, prej dy vjetësh është zgjeruar rruga, e cila më pas edhe është asfaltuar e ndriçuar…, kurse në të nuk ka asnjë shitore, në 20 vjetët e fundit nuk ka as shkollë dhe aty jetojnë vetëm dhjetëra banorë.

Prejse Nikoliqi është bërë president, rruga që çon deri te shtëpia e tij pastrohet rregullisht kështu që as dimrit nuk është problem të udhëtohet.

Dikur, thonë vendësit, të vdekurit nuk kemi mundur t’i varrosim as brenda një jave, por tash është rruga e pastruar dhe bora hiqet edhe nga disa herë në ditë, po u paraqit nevoja.

Nikoliqi para se ti’ futej politikës si anëtar i Partisë Radikale të Vojisllav Sheshelit ka qenë drejtor i varrezave në Kragujevc. Sipas medieve serbe, ai nuk ka as diplomë fakulteti. 

(lajmi.net)