Izraeli sulmoi 10 lokacione në Rripin e Gazës

Aviacioni i luftës i Izraelit ka sulmuar të dielën në mëngjes 10 lokacione në Rripin e Gazës, ku pushtetin e mban Lëvizja radikale palestineze Hamas.

Bota

06/07/2014 13:06

Ushtria izraelite njoftoi se sulmet janë ndërmarrë sot herët në mëngjes, ndërsa në shënjestër ishin bazat e dyshuara të militantëve, përfshirë edhe vendet ku prodhohen armatimet.

Këto sulme ndodhën pasi nga Rripi i Gazës në Izrael janë hedhur raketa dhe predha, gjatë orëve të fundit.

E gjithë kjo situatë u krijua pas përleshjeve të fundjavës ndërmjet policisë izraelite dhe demonstruesve palestinezë.

Tensionet janë ngritur prej javës së kaluar, kur i riu palestinez, Mohammed Abu Khudair, është marrë nga shtëpia e tij në pjesën lindore të Jerusalemit, ndërsa trupi i tij i pajetë është gjetur më vonë në një mal të afërt.

Policia tha se ende po zhvillon hetime për këtë rast, por palestinezët konsiderojnë se ekstremistët izraelitë e kanë vrarë të riun në shenjë të hakmarrjes për vrasjen e disa ditëve më parë të tre adoleshentëve izraelitë.