Italia humb Montolivon

Italia do të jetë pa mesfushorin Riccardo Montolivo në Kampionatin botëror në Brazil. Ylli i Milanit pësoi frakturë gjatë një dyluftimi me irlandezin Pearce, në ndeshjen miqësore të zhvilluar në Londër.

Sport

31/05/2014 23:54

Lajm shumë i keq për Italinë dhe selektorin Cesare Prandelli, vetëm dy javë para fillimit të Kampionatit botëror.

Riccardo Montolivo është nxjerr nga fusha në barelë pas një ndërhyrje të ashpër nga Pearce në minutën e tetë të ndeshjes miqësore në Londër kundër Republikës së Irlandës. Mesfushori i Milanit dyshohet se ka pësuar frakturë.

“Kam përfunduar”, deklaroi shkurt Montolivo pas ndërhyrjes së parë të stafit mjekësor në fushë. Montolivo është dërguar menjëherë për në ambulantën Chelsea Westminster Hospital.

Por, edhe mesfushori tjetër Alberto Aquilani përfundoi në spital për shkak të një goditje në kokë pas një dyluftimi me irlandezin Ward.

Për Aquilanin nuk dyshohet se bëhet fjalë për lëndim të rëndë por Montolivo pritet të humb Kampionatin botëror në Brazil. Italia dhe Republika e Irlandës luajtën baras 0:0.