Islami: Protestat studentore në Beograd mund të çojnë në përplasje civile – Vuçiq po mbrohet nga Rusia

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka komentuar zhvillimet pas protestës së studentëve në Beograd të mbajtur më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit, ku u arrestuan 77 protestues nga forcat e rendit serb. Islami vlerësoi se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka ndërtuar një aparat shumë të fuqishëm shtetëror dhe mbështetje të gjerë nga…

Lajme

30/06/2025 20:46

Eksperti i sigurisë, Avni Islami, ka komentuar zhvillimet pas protestës së studentëve në Beograd të mbajtur më 28 qershor, në ditën e Vidovdanit, ku u arrestuan 77 protestues nga forcat e rendit serb.

Islami vlerësoi se regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, ka ndërtuar një aparat shumë të fuqishëm shtetëror dhe mbështetje të gjerë nga përkrahësit, të cilët po kundërpërgjigjen ndaj studentëve me kundërprotesta, çka sipas tij është një zhvillim shumë i rrezikshëm.

“Kjo është e rrezikshme sepse mund të shpërthejë një luftë civile. Pastaj, me aparatin e vet shtetëror, Vuçiq do të ndërhynte kinse për të shuar përplasjet mes dy grupeve protestuese. Unë besoj se ai do të vazhdojë të jetë në skenën politike, sepse Vuçiqin e mbron dhe e përkrah Rusia, pasi u duhet për qëllimet e veta,” deklaroi Islami në RTVDukagjini.

Ai shtoi se një pjesë e madhe e popullsisë në Serbi nuk e përkrah më Vuçiqin.

“Këtë mund ta vëreni edhe në katër komunat veriore të Kosovës, ku një pjesë dërrmuese e qytetarëve lokalë janë në përkrahje të studentëve. Çdo tentativë apo problem politik që shfaqet në Serbi, Vuçiq përpiqet ta zhvendosë në këto katër komuna në veri të Kosovës, dhe të njëjtën gjë po e bën edhe opozita,” tha Islami.