Ish zv-ministri Gashi tha se Fatmir Sheholli është informator i AKI-së, Elezi: Duhet të ndiqet penalisht

Ish zëvëndesministri, Milazim Gashi në një intervistë të tij në media ka dhënë një deklaratë në lidhje me Fatmir Shehollin dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë. Ai ka thënë se AKI-ja furnizohet me informata nga Fatmir Sheholli. Personat të cilët janë pjesë e këtij institucioni janë sekret dhe informatat e tilla konsiderohen top sekrete, pasi…

Lajme

07/07/2024 18:17

Ish zëvëndesministri, Milazim Gashi në një intervistë të tij në media ka dhënë një deklaratë në lidhje me Fatmir Shehollin dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë.

Ai ka thënë se AKI-ja furnizohet me informata nga Fatmir Sheholli.

Personat të cilët janë pjesë e këtij institucioni janë sekret dhe informatat e tilla konsiderohen top sekrete, pasi që rrezikojnë personin në fjalë dhe vendin.

Eksperti i Sigurisë, Bedri Elezi për lajmi.net ka thënë se janë të befasuar se si një person i cili nuk ka kompetencën juridike të jap informacione të tilla dhe njëkohësisht të bëj veprime të cilat janë të sanksionuara me Kodin Penal te Republikës së Kosovës, e që sipas tij janë veprime të cilat konsiderohen në aspektin e sigurisë si veprime të cilat cenojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë sigurinë e personave të cilët mund të jenë të përmendur apo të apostrofuar në raste të tilla.

Ai ka thënë se edhe për AKI-në është e vështirë që të jap informacione në lidhje me personat apo grupet që i ndihmojnë e aq më shqetësuese është sipas tij kur këto informacione tregohen nga persona jo kompetentë.

“E para për ne është e pabesueshme që persona jashtë AKI-së të sigurojnë informacione për persona brenda AKI-së e aq më pak të kuptojmë se këta persona mund të kenë marrëdhenie juridike me AKI-në. Në rastin konkret ky deklarim i ish zv-ministrit është në shpërputhje me Ligjin për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe është vepër penale nga e cila është bërë rrezikimi i AKI-së ngase përmes personit të apostrofuar mund të shkohet deri te kontaktet që mund të ketë personi me AKI-në apo me institucionet apo edhe me objektet, qofshin ato te lujtshme apo të palujtshme që AKI i përdor apo shërbehet për çështje operative”, ka thënë Elezi për lajmi.net.

Elezi ka shtuar se ky informacion nga ish zv-ministri Gashi mund të jetë dhënë për të graduar Fatmir Shehollin si një person me kontribute kombëtare dhe një person që ka dhënë kontribut ne AKI.

Sipas, ekspertit të sigurisë Bedri Elezi kjo deklaratë e ish zv-ministrit duhet të ndiqet penalisht.

“Nëse nuk qëndron ai informacion i njëjtë mund të ndiqet penalisht për prezantim të rrejshëm. Vepra penale për prezantim të rrejshëm është një vepër penale e cila është paraparë në Kodin Penal të Republikës së Kosovës, dhe nëse një person i cili deklaron rrejshëm se ka punuar apo punon me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë mund të ndiqet penalisht. Në rastin konkret, ish zv-ministri ose ka kryer veprën penale të rrezikimit të dekonspirimit të asetit apo bashkëpunëtorit të AKI-së ose ka kryer veprën penale të prezantimit të rrejshëm të personit i cili mund të përdoret si adut për të penetruar si bashkëpunëtor i AKI-së ose ka qëllime të tjera”, ka thënë Elezi për lajmi.net

Ai ka thënë se uron dhe beson që Agjencia e Kosovës për Inteligjencë do të ndërmarrë të gjitha veprimet, e sipas tij duhet të kërkoj nga Policia e Kosovës, njësia për krime të rënda që të intervistohet sa me parë personi që ka deklaruar informacionin dhe njëkohësisht të sigurohet procedura apo protokolli në lidhje me sigurinë eventuale qe i është vënë në supe te apostrofuarit në këtë rast Fatmir Sheholli.

“Nëse ky person ka pas një raport me AKI-në padyshim që mund të jetë i rrezikuar nga strukturat e sigurisë të Serbisë dhe padyshim nëse i njëjti shkel brenda territorit të Serbisë pas kësaj deklarate, mund të arrestohet dhe mund te përgjigjet për veprën penale të spiunazhit në këtë rast në Serbi. Uroj dhe besoj që AKI nuk do të qëndroj duarkryq dhe do të kryej të gjitha detyrimet e saja me ligj edhe në raste të tilla kur persona apo grupe përdorin këtë institucion si ombrellë për të kryer veprime që janë në kundërshtim me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, ka thënë Elezi në një prononcim për lajmi.net.

Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI), është agjenci për siguri dhe inteligjencë e cila mbledh, analizon dhe shpërndan produkte inteligjente në mënyrë të shpejtë, të ligjshme dhe të përgjegjshme tek Presidenti, Kryeministri dhe Institucionet tjera kompetente.

AKI qeveriset në bazë të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Ligjit nr. 03/L-063 për Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe të gjitha ligjet tjera në fuqi në Kosovë. /Lajmi.net/