Ish-zëvendëspresidenti amerikan: Nëse Rusia merr Ukrainën, rendi i vjen Ballkanit dhe Polonisë
Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dan Quayle, i cili ka shërbyer në administratën e George Bushit të vjetër nga viti 1989 deri në 1993, ka deklaruar se nuk e kupton pse presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump nuk ushtron asnjë presion mbi liderin rus, Vladimir Putin, për të cilin ai thotë se “nuk ka asnjë dëshirë” për të…

Bota
Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Dan Quayle, i cili ka shërbyer në administratën e George Bushit të vjetër nga viti 1989 deri në 1993, ka deklaruar se nuk e kupton pse presidenti aktual i SHBA-ve, Donald Trump nuk ushtron asnjë presion mbi liderin rus, Vladimir Putin, për të cilin ai thotë se “nuk ka asnjë dëshirë” për të përfunduar luftën në Ukrainë.
Sot, Quayle drejton fondin global të investimeve Cerberus dhe kritikon hapur qasjen e Trumpit ndaj luftës në Ukrainë, shkruan cnbc.
“Nuk e kuptoj afeksionin e Trumpit për Putinin. Nëse je një ‘marrëveshje-bërës’, nëse merresh me marrëveshje, atëherë duhet të kesh një mjet presioni. Cilin mjet presioni po përdor Trump ndaj Putinit? Asnjë. Absolutisht asnjë”, tha ai dhe se “Putini nuk dëshiron fundin e luftës, ai dëshiron ta copëtojë Ukrainën”.
“Nuk po i afrohemi fundit,” tha Quayle, duke shtuar se Putini nuk do të ndalet derisa ta ketë “shkërmoq” plotësisht Ukrainën. Edhe pse ai mendon se presidenti rus nuk ka arritur atë që ka dëshiruar në fushën e betejës, është i bindur se ka qenë i suksesshëm në marrëdhënien me Trumpin, “Putini dhe njerëzit e tij të KGB-së e dinë shumë mirë se ku janë dobësitë e Trumpit dhe si ta trajtojnë atë”.
Quayle pohon se gatishmëria e Trumpit për të zhvilluar bisedime pa asnjë kusht shkon drejtpërdrejt kundër interesave të aleatëve amerikanë në Evropë.
Trump fundjavën e kaluar, në rrjetin e tij social Truth Social, tha se shpreson që dita e bisedimeve me liderët ukrainas dhe rusë “të jetë produktive dhe të çojë në një armëpushim,” por deri tani nuk ka pasur lëvizje konkrete.
Quayle mendon se Trumpi mund ta detyrojë Putinin të ulet në bisedime nëse do të ngrinte fondet ruse në bankat zvicerane dhe t’i drejtonte ato për Ukrainën, të furnizonte ukrainasit me armë shtesë dhe të vendoste sanksione dytësore ndaj Rusisë.
Quayle përfundoi se Trump mund të paguajë një çmim politik nëse i dorëzon Ukrainën, Putinit.
“Ai thotë se kjo është ‘Lufta e Bidenit’, por ai tani është president. Nëse lejon Ukrainën të bjerë, pasojat do të jenë serioze,” tha Quayle.
“Dhe kur flasim për rrezikun e Luftës së Tretë Botërore, më i madh është rreziku që t’i lejojmë Rusisë të marrë Ukrainën, pastaj Poloninë, pastaj Ballkanin. Atëherë bota do të flasë me të vërtetë për luftë botërore”, përfundoi ai.