Ish-sekretarja e MTI-së që akuzohej bashkë me ministrin Lluka, edhe në rigjykim mohon fajësinë për konflikt interesi

Ish-sekretarja e përgjithshme e MTI-së, Eljana Naka, në rigjykimin e së premtes, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, nuk e ka pranuar fajësinë për konflikt interesi dhe ka kërkuar që të lirohet nga akuza.

Lajme

22/03/2019 14:39

Rastin e saj, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim në dhjetor 2018, duke e aprovuar ankesën e saj për aktgjykimin e shkallës së parë, e cila me 23 korrik 2018, e kishte shpallur fajtore dhe e kishte dënuar me 7.000 euro gjobë.

Ndërkaq, kjo gjykatë ia kishte vërtetuar aktgjykimin lirues ministrit aktual të Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, i cili po ashtu akuzohej për konflikt të interesit.

Ajo në seancën e së premtes pasi ka hequr dorë nga leximi i aktakuzës, nuk e ka pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohet, dhe ka shfrytëzuar të drejtën ligjore për tu mbrojtur në heshtje, duke mbetur pranë deklaratës që kishte dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Prokurori Rafet Halimi i ka prezantuar provat me të cilat sipas tij, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor do të vërtetohet se e akuzuara Naka ishte fajtore për veprën penale me të cilën po ngarkohet.

Ai ka prezantuar vendimin e 2 qershorit 2014, me të cilin sipas tij, vërtetohej se Naka mjetet në vlerë prej 20 mijë euro i kishte ndarë për kategorinë ekonomike të subvencioneve, të cilat ishin dedikuar për OJQ-në “Jakov Inovation Center”.

Prokurori Halimi prezantoi vendimin e Bordit të Drejtorëve, nga i cili ishte bërë zëvendësimi i Valdrin Llukës dhe ishte emëruar Fatos Haxhani, regjistrin e biznesit të kësaj organizate, certifikatën, numrin fiskal, numrat e xhirollogarisë rrjedhëse, vendimin për caktimin e zyrtarëve të komisionit vlerësues, rekomandimin e këtij komisioni, i cili ishte nënshkruar nga e akuzuara Naka, marrëveshja e mirëkuptimit e lidhur mes MTI-së dhe kësaj OJQ-je, kërkesën për alokimin e mjeteve, vendimin për lëshuarjen e mjeteve si dhe urdhëresën për realizimin e pagesave ku të gjitha këto prova ishin nënshkruar nga e akuzuara Naka, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mirëpo, këto prova i ka kundërshtuar mbrojtësi i saj, avokati Tahir Rrecaj, që sipas tij, këto prova ishin keqinterpretuar nga ana e prokurorisë, ngase asnjëra prej tyre nuk ishin prova fajësuese.

“Trupi gjykues duhet të vlerësojë nëse e akuzuara kishte ndonjë interes personal, familjar apo biznes privat në këtë OJQ, pasi në bazë të provave që i ka prezantuar prokuroria këtë OJQ e kanë themeluar Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në të cilën ministri ajo kishte pozitën e sekretares”, ka thënë Rrecaj.

Ai tha se në këtë proces gjyqësor nuk kishte palë të dëmtuar, nuk kishte dëm, askush nuk kishte përfituar, dhe sipas tij, nuk ishte konflikt interesi nëse nuk kishte përfitim pasuror.

Sipas tij, e akuzuara nuk kishte dhënë urdhër për ekzekutimin e pagesës, nuk e kishte emëruar veten si anëtare e bordit të kësaj OJQ-je dhe se vendimin për caktimin e saj si anëtare e bordit e ka marrë ministrja e atëhershme e MTI-së, Mimoza Kusari-Lila.

Ai i propozoi gjykatës që si provë rrethanore të prezantohet opinioni ligjor i Departamentit Ligjor të MTI-së, me të cilin sipas Rrecajt, vërtetohej mënyra e themelimit, qëllimi i themelimit të OJQ-ve, si dhe vendimin e MTI-se, më të cilin Naka nga ministrja e MTI-së ishte emëruar anëtare e e bordit të kësaj OJQ-je.

Në lidhje me vendimin e Bordit të kësaj organizate, ai tha se e akuzuara e kishte nënshkruar si kryetare e bordit, në mungesë të kryetarit të bordit në ata mbledhje, të cilën tha se e kishte kryesuar Naka dhe ishte nënshkruar si kryetare e bordit.

“Në lidhje ma këtë vendim konsideroj se nuk ka elemente të veprës penale, me arsyetimin që nuk është dashur të nënshkruhej, ka mundur te jetë një çështje administrative”, tha Rrecaj.

Ndryshe, prokurori Halimi në fjalën përfundimtare ka kërkuar që Naka të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit, pasi sipas tij, nga provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor ishte vërtetuar se ajo kishte kryer veprën penale.

Por, lirim nga akuza ka kërkuar mbrojtësi i tij, avokati Tahir Rrecaj, pasi sipas tij, prokuroria me asnjë provë nuk kishte vërtetuar se Naka kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Hamdi Ibrahimi njoftoi se shpallja e aktgjykimit do të bëhet me 26 mars 2019, në ora 13:10.

Ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit në dhjetor 2018.

Gjykata e shkallës së parë, me 23 korrik 2018, të akuzuarën Naka e kishte shpallur fajtore për konflikt interesi dhe e kishte dënuar me 7.000 euro gjobë, ndërsa ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka e kishte liruar nga akuza, ku edhe Apeli e kishte vërtetuar pafajësinë e tij.

Sipas Apelit, për të akuzuarën Naka, gjykata e shkallës së parë nuk kishte dhënë fakte vendimtare lidhur me shpalljen fajtore të saj për veprën penale të konfliktit të interesit.

Sipas vlerësimit të kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë nuk kishte paraqitur asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se e akuzuara Naka të ketë pasur ndonjë privilegj apo dobi të çfarëdo lloji për veti apo për tjetrin.

Po ashtu në këtë vendim theksohet se ajo nuk kishte marrë pjesë në vendimmarrje si anëtare e bordit dhe se marrëveshja e mirëkuptimit e 27 majit 2014, ishte nënshkruar nga Bernard Nikaj, ministër i MTI-së ndërsa nga ana e OJQ-së, “Jakov Inovation Center”, ishte nënshkruar nga Faton Axhami.

“Në rigjykim, gjykata e shkallës së parë duhet të evitoj shkeljet e cekura më lartë dhe ti nxjerrë të gjitha provat, të vërtetohet se kush ka përfituar dobi pasurore të kundërligjshme dhe a kemi dëm të shkaktuar, vendimmarrje apo konflikt të interesit për veti apo tjetrin..”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Aktakuza ndaj Nakës dhe Llukës ishte përpiluar në tetor 2016, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Naka po dyshohet se me 2 qershor 2014, në kundershtim me Ligjin për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publi, kishte marrë vendim që mjetet prej 20 mijë eurove, t’i ndahen si mbështetje financiare OJQ-së “Jakov Inovation Center”, ku kishte qenë drejtoreshë e Bordit.

Ndërsa, Lluka akuzohej se në cilësinë e zyrtarit të lartë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë (MTI), njëkohësisht edhe Kryeshef i Agjencisë për Promovim të Investimeve, më 23 mars 2014, kishte filluar procedurat për zotimin e mjeteve në vlerë prej 20 mijë euro për Organizatën Jo-Qeveritare (OJQ) “Jakov Innovation Center”, në të cilën OJQ kishte qenë themelues.