Ish-presidentit Sarkozy i ofrohet mbrojtje e përhershme policore në burg, do të ruhet nga dy oficerë
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka deklaruar se ish-presidenti Nicolas Sarkozy do të ketë mbrojtje policore gjatë gjithë vuajtes së dënimit 5-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës elektorale, raporton “The Guardian“. Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të ketë dy policë të stacionuar në qeli pranë tij gjatë qëndrimit në burg, për të…

Bota
Ministri i Brendshëm i Francës, Laurent Nuñez, ka deklaruar se ish-presidenti Nicolas Sarkozy do të ketë mbrojtje policore gjatë gjithë vuajtes së dënimit 5-vjeçar për financim të paligjshëm të fushatës elektorale, raporton “The Guardian“.
Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të ketë dy policë të stacionuar në qeli pranë tij gjatë qëndrimit në burg, për të siguruar që ai të mos pësojë ndonjë dëm.
Sarkozy mbërriti në burgun La Santé në Paris të martën, për të nisur vuajtjen e dënimit prej pesë vjetësh burg, pasi u shpall fajtor për komplot për të siguruar fonde për fushatën elektorale nga Libia.
Të mërkurën, ministri i Brendshëm, Laurent Nunez, tha se dy oficerë policie nga njësia e sigurisë që mbrojnë ish-presidentët do të jenë të stacionuar përherë në qeli ngjitur me atë të Sarkozy-t gjatë gjithë kohës së qëndrimit të tij në burg.
Ai shtoi se oficerët do të qëndrojnë pranë tij “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”. Sipas mediave franceze, këta oficerë do të jenë pjesë e një ekipi që punon me turne.
Sarkozy do të mbahet në njësinë e izolimit të burgut La Santé, ku të burgosurit kanë qeli individuale dhe mbahen të ndarë gjatë aktiviteteve në ajër të hapur, gjë që do të thotë se ai nuk do të jetë në kontakt me të burgosur të tjerë.
Sindikata e rojeve të burgjeve protestoi për praninë e policëve brenda institucionit. Nicolas Peyrin, nga sindikata CGT, tha se stafi i La Santé është plotësisht i aftë të sigurojë sigurinë e të burgosurve dhe se policia nuk është e nevojshme.
“Nuk ka asnjë vlerë të shtuar,” tha ai.
Ndërsa Wilfried Fonck, kreu i një tjetër sindikate të rojeve të burgjeve, tha ““Në thelb po na thonë që ne nuk dimë të bëjmë punën tonë. Sot kemi dy civilë brenda një burgu që nuk duhet të jenë aty,” tha ai, “dhe që nuk e njohin sistemin e burgjeve. Nuk kam parë kurrë diçka të tillë në 25 vite punë.”
Avokatët e Sarkozy-t kanë dorëzuar një kërkesë për lirimin e tij të parakohshëm, në pritje të apelimit të vendimit, dhe kanë thënë se presin që kjo kërkesë të shqyrtohet brenda një muaji. Ata shpresojnë që ai të lirohet para Krishtlindjeve.