Ish-drejtori i policisë, Rashit Qalaj aderon në PDK

Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës. Kjo u zyrtarizua nga lideri i PDK-së, Enver Hoxhaj. Përmes një konference për media, Hoxhaj tha se Qalaj do të jetë tashmë pjesë e partisë dhe se do të jetë në listën kandiduese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

Lajme

14/01/2021 13:10

Hoxhaj tha se Qalaj do të bëhet pjesë e programit dhe vizionit të rimëkëmbjes politike dhe se me këtë rimëkëmbje politike sektori i sigurisë dhe zhvillimi i këtij sektori do të jetë prioritet i qeverisë.

“Së bashku me zotin Qalaj do ta kemi programin më të avancuar për Rimëkëmbjen e sektorit të sigurisë, i cili është goditur nga dy qeveritë e fundit. Kosova ka nevojë për Rimëkëmbje të sektorit të sigurisë dhe jo për qeveri që i lënë me ushtrues detyre edhe Policinë edhe AKI-në, në një kohë kur vendi ishte i kërcënuar jashtë dhe brenda.”, ka thënë Hoxhaj.

Hoxhaj ka thënë se Rashit Qalaj, me përvojën e tij të madhe në fushën e sigurisë, do të jetë motori i Rimëkëmbjes që PDK do ta sjellë në sektorin e sigurisë.

“Zoti Qalaj nuk e ka thjesht vetëm përvojën 20-vjeçare menaxheriale në Policinë e Kosovës, por ka edhe përgatitijen e lartë profesionale në fushën e sigurisë përmes aftësimit dhe ngritjes profesionale që e ka pasur në Gjermani, Austri, Britani të Madhe dhe ka udhëhequr institucionin më kredibil që ka Kosova. Rimëkëmbja e sektorit të sigurisë nënkupton që këtë sektor do ta ndërtojmë sipas kritereve më progresive që ekzistojnë në shtetet anëtare të NATO-s.Rashit Qalaj ka qenë edhe luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra natyrisht që do të jetë pjesë e Rimëkëmbjes kombëtare për të cilën angazhohemi si qeveri e ardhshme e Kosovës.”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se Qalaj është sinonimi i mijëra shërbyesve të sektorit publik të cilët kërcënohen të largohen nga puna për shkak të hakmarrjeve politike të politikanëve autoritarë, prandaj, sot ai po bëhet pjesë e vizionit të Rimëkëmbjes kombëtare.

“Rashit Qalaj me shokë që dikur e rimëkëmbën atdheun me luftën e tyre çlirimtare, sot do ta rimëkëmbin atdheun nga kriza ekonomike që ka ardhur pas 6 tetorit 2019. Unë si kryeministër, Rashit Qalaj dhe tërë ekipi i Rimëkëmbjes do ta rimëkëmbim Kosovën dhe sërish do ta kthejmë epokën e artë të Kosovës kur rriteshin pagat, kur shtroheshin rrugë, kur ndërtoheshin shkolla të reja, kur nuk kishte reduktime të energjisë elektrike dhe kur kishim marrëdhënie të shkëlqyeshme me aleatët amerikanë dhe evropianë. Cdo ditë e më tepër po rritet besimi për PDK-në. Së bashku do ta rimëkëmbim Kosovën dhe do t’ia kthejmë dinjitetin qytetarëve të Kosovës.”, ka thënë Hoxhaj.

Qalaj deri para pak muajsh ishte në krye të Policisë së Kosovës, ndërsa u shkarkua nga kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti.

Gjatë ditës së djeshme, Qeveria Hoti zyrtarizoi drejtorin e ri të PK-së, Samedin Mehmetin, teksa Qalaj një ditë më vonë zyrtarizoi aderimin në Partinë Demokratike të Kosovës./Lajmi.net/