Ish-deputeti i VV-së: S’mund të arsyetohet mbajtja peng e Kosovës “se e kojtmja të korit”, liderët kanë shumë inat e lakmi

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje për tejkalimin e krizës politike dhe formimin e institucioneve të Kosovës. Kurteshi tha se Kosova është duke u mbajtur peng dhe se qytetarët janë duke pritur një marrëveshje që, sipas tij, është dashur të arrihej më herët nga ata që kanë marrë…

Lajme

17/08/2026 15:56

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, bëri thirrje për arritjen e një marrëveshjeje për tejkalimin e krizës politike dhe formimin e institucioneve të Kosovës.

Kurteshi tha se Kosova është duke u mbajtur peng dhe se qytetarët janë duke pritur një marrëveshje që, sipas tij, është dashur të arrihej më herët nga ata që kanë marrë besimin për ta udhëhequr vendin.

Ai tha se vullneti për arritjen e një marrëveshjeje mungon “jo se udhëheqësit nuk e duan Kosovën, por se inatin dhe lakminë i kanë më të mëdha se vullnetin”.

Postimi i Ismajl Kurteshit:

Shtëpia me inati nuk mbahet

Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës.

Ka kaluar shumë kohë që Kosova është bërë sy e vesh, qytetarët po presin me padurim marrëveshjen që është dashur të arrihet kaherë, nga ata që e fituan besimin e qytetarëve që ta udhëheqin vendin.

Vendi nuk udhëhiqet duke e bllokuar atë, as duke u munduar që njëra palë ta mund palën tjetrën.

Se Kosova pa institucione stabile, jo vetëm se nuk fiton por humb jashtëzakonisht shumë, këtë e din pothuajse të gjithë.

Se ata që e morën besimin që ta udhëheqin vendin, nuk po e kuptojnë se janë të obliguar të angazhohen që t’i ndërtojnë institucionet e jo ta bllokojnë formimin e tyre, tani më është evidente.

Se a mund të arrihet marrëveshja, për ndërtimin e institucioneve, me akuza të ndërsjella e pa u ulë me gjet zgjidhje? Përgjigjen e kemi nxjerrë nga përvoja e dy viteve të fundit.

Ajo që duhet bërë, e ka thënë shkurt e qartë, këto ditë në një postim, ish ministri Armend Meha, ai përveç tjerash thotë: “…duhet të dimë të ulemi në një tryezë, të flasim, të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të gjejmë rrugën e përbashkët …” Atë që e tha Armendi po e kërkon populli.

Siç po shihet dalja nga kriza është e thjeshtë. Por as gjërat e thjeshta nuk mund të arrihen kur mungon vullneti.

Vullneti mungon jo se udhëheqësit nuk e duan Kosovën, por se inatin dhe lakminë i kanë më të mëdha se vullnetin.

Populli nga përvoja e tij e gjatë e ka mësuar se: “Shpia me inati nuk mahet, se e kojtmja të korit, besa edhe të fikë”.

Ata që e duan Kosovën duhet t’i lënë anash edhe lakminë edhe inatet, sepse asgjë më e madhe sa dashuria për Kosovën nuk bënë të jetë.

Vendit i duhet një marrëveshje nga e cila fiton Kosova.

Kur është në pyetje interesi i Kosova, jemi të obliguar të gjithë bashkë të jemi.

Ata që nuk mund të bëhen bashkë, për hir të interesave të Kosovës, nuk e kanë vendin në parinë e Kosovës.

Askush, me asgjë, nuk mund ta arsyetojë mbajtjen peng të Kosovës.

As inatet, as lakmia por marrëveshja është zgjidhja.