Ish-deputetët e VV-së e kritikojnë ashpër Kurtin: Mospropozimi i Vjosa Osmanit, thikë pas shpine

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka propozuar presidenten aktuale Vjosa Osmani për një mandat të dytë në krye të shtetit, ndërsa partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë zyrtarisht me kandidaturën e Glauk Konjufcës për President të Kosovës, dhe me kandidaten tjetër Ftamire-Mulhaxha-Kollçaku. Pas këtyre zhvillimve, Kuvendi nuk arriti të zgjedh Presidentin, ndërsa…

Lajme

07/03/2026 10:27

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka propozuar presidenten aktuale Vjosa Osmani për një mandat të dytë në krye të shtetit, ndërsa partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje, ka dalë zyrtarisht me kandidaturën e Glauk Konjufcës për President të Kosovës, dhe me kandidaten tjetër Ftamire-Mulhaxha-Kollçaku.

Pas këtyre zhvillimve, Kuvendi nuk arriti të zgjedh Presidentin, ndërsa Presidentja Osmani shpalli dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe nisi procedurat për zgjedhjet e reja.

Vendimi për të mos e rikandiduar Osmanin ka nxitur reagime dhe debat politik, pasi ajo kishte shprehur më herët gatishmërinë për të kërkuar besimin e deputetëve për një mandat të dytë në këtë post.

Vendimi i kryeministrit Albin Kurti për të mos e propozuar presidenten aktuale Vjosa Osmani për një mandat të dytë ka nxitur reagime edhe nga ish-deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Haki Abazi dhe Fatmir Humolli kanë kritikuar këtë veprim të Kurtit, duke e cilësuar si vendim befasues

Abazi vendimin për mos propozimin e Osmanit e cilësoi si befasues dhe tha se është një tjetër shembull i mënyrës se si, sipas tij, Kurti vepron ndaj bashkëpunëtorëve të tij politikë. Ai vlerësoi se Kurti po vazhdon një praktikë të largimit ose anashkalimit të figurave me të cilat ka bashkëpunuar më herët.

‘’Goxha befasuese mospropozimi i Osmanit për presidente nga ana e Kurtit, për Kurtin është bërë mision të fusë thika pas shpine bashkëpunëtorëve’’, tha Abazi për FO.

Sipas Abazit, Kurti po dobëson institucionet e Kosovës dhe po e përqendron vendimmarrjen politike në një dorë të vetme.

‘’Kurti po vazhdon me shpërbërjen e institucioneve të Kosovës që të mbetet i vetmi në vendimmarrje pa një parlament efektiv’’, tha ish deputeti i VV-së.

Ish-deputeti i VV-së komentoi edhe emrin e Glauk Konjufcës si kandidat për president, duke thënë Konjufca është shndërruar në ‘’xhoker’’ të Kurtit dhe se kjo kandidaturë po përdoret si pjesë e një taktike politike për të krijuar përshtypjen e një kandidature serioze dhe për të rritur besimin në proces.

‘’Konjufca është shndërruar në xhokerin e lojës së Kurtit për ta ngritur besimin, kinse po e propozon dikë serioz si Konjufca, ai po bën lojë me Konjufcën’’,  thotë Abazi.

Në fund, Abazi akuzoi Kurtin se po synon ta çojë vendin drejt një situate ku do të mund ta kontrollojë më lehtë pushtetin politik,  që të mbërrijë në pikën ku ‘’sundon’’ vetëm Kurti.

‘’ Është në mision e Kurtit të shpërbëj republikën që të mbërrij në një pikë që ta kontrollojë vendin është në kërkim të Republikës së ‘’Kurtit’’,  përfundoi Abazi.

Ish-deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmir Humolli, në një prononcim për FrontOnline është deklaruar  lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe mungesën e një propozimi nga kryeministri Albin Kurti për ri kandidimin e presidentes Vjosa Osmani për një mandat të dytë.

Humolli ka kritikuar mënyrën e veprimit të Kurtit, duke thënë se ai nuk po vepron në interes të vendit, por në interes të grupit të tij politik.

Sipas tij, vendimet po merren në mënyrë të përqendruar dhe pa konsultim të gjerë institucional.

‘’Logjika e punës që ka Albin Kurti nuk ka as të afërm asnjë, ky të gjithë i ka një përdorimësh dhe nuk punon në interes të vendit, ky e sheh interesin e grupacionit politik të vet’’ , tha ish-deputeti i VV-së.

Humolli ka deklaruar se Osmani e ka humbur mbështetjen politike brenda listës GUXO dhe se kjo listë nuk ka deputetë me peshë të veçantë vendimmarrëse, ndërsa  deputetët e VV-së ndjekin qëndrimet e kryetarit të partisë.

‘’Vjosa e ka humbur bazën në listën GUXO nuk ka asnjë deputet që bën përshtypje edhe këta të VV-së normalisht e dëgjojnë Albinin’’, tha Humolli.

Humolli ka shtuar se procesi për zgjedhjen e presidentit po zhvillohet në mënyrë jo të drejtë dhe se opozita, si pjesë e institucioneve shtetërore, duhet të ketë rol në kontrollin dhe balancimin e pushtetit.

‘’Procesi politik për zgjedhje të presidentit është duke u zhvilluar në mënyrë jo të drejtë. VV ja nuk e kupton që edhe partitë opozitare janë institucione shtetërore e në qoftë se opozita nuk ka mundësi të kontrollojë sistemin që funksionin pse bëhet’’, tha ish-deputeti Humolli.

Ai ka akuzuar Kurtin se synon të mbajë nën kontroll të plotë proceset politike, duke anashkaluar funksionimin institucional dhe duke mos dhënë llogari të mjaftueshme para Kuvendit.

‘’Kurti mundohet të krijojë sitëm që ka në dorë gjithçka vet e jo në mënyrë institucionale. Kur e injoron deputetin kuvendin e Kosovës si në mandatin e kaluar nuk u ka dhënë llogari opozitës kjo është logjikë jo demokratik’’, tha Humolli.